Rama: Ndërhyrja e policisë do të ishte provokim

by on 02/05/10 at 5:56 pm

Faza e dytë, protesta zinxhir në të gjithë vendin. Shtohet numri i grevistëve.

Greva e urisë dhe protesta e opozitës ka mbërthyer në vetvete të gjithë komunikimin mediatik dhe politik. Ekipi drejtues i Partisë Socialiste ka qenë dje prezent përgjatë gjithë ditës në një komunikim mediatik të pandërprerë që ka nisur me deklarimet e forta të kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe ka vijuar me deputetë të tjerë si Namik Dokle, Arta Dade, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati, por edhe përfaqësues të aleatëve si Spartak Ngjela. Arsenali i fjalorit politik ka pasur në vëmendje mbajtjen e temperaturës politike në nivelin e duhur në funksion të mbajtjes gjallë të ritmit protestues. “Të bëjmë ç’të mundemi për të rezistuar, për t’i dhënë kësaj kauze çdo energji pozitive në funksion të zgjedhjeve e të zgjidhjeve, për një Shqipëri ku rrënimi ekonomik duhet të ndalet”, u shpreh kryetari i PS, Edi Rama. Ai ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestës që duket se do të drejtohet edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Lidhur me këtë skenar që mund të cilësohet edhe si faza e dytë e skenarit opozitar burime nga PS, bëjnë të ditur se angazhimi i strukturave të bazës, por edhe kapacitetet e së majtës të shpërndara sipas njësive të pushtetit vendor do të japin maksimumin. Kështu, mesi i javës pritet të shpërthejë një reaksion zinxhir protestash në kohezion me tubimin e Tiranës i cili nuk do të ndalet deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Oferta socialiste në këtë drejtim mbetet e hapur dhe kjo gjë është konfirmuar edhe nga deputetja Mimi Kodheli, e cila ka deklaruar gatishmërinë e opozitës për të negociuar zgjidhjen. “…nuk do të ketë asnjë hap mbrapa, presim hapa konkretë nga qeveria. Qeveria e sotme duhet ta kuptojë që ne e kemi seriozisht, se populli e ka seriozisht, sepse nuk mund të durohet më deformimi i zgjedhjeve dhe mohimi i fjalës së lirë”, theksoi ajo. Ndërkaq, paralajmërimit të Policisë së Shtetit për të zbrazur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, opozita i është kundërpërgjigjur me zgjerimin e pjesëmarrjes në grevë. Kjo gjë u bë e ditur nga deputetja Vasilika Hysi, që gjatë pasdites, por në të vërtetë ka hyrë në axhendën e diskutimit të Grupit Parlamentar. Kjo thirrje e policisë ka vënë në lëvizje edhe qëndrime të reja politike, ku spikat deklarimi i Ramës sipas të cilit ndërhyrja e uniformave blu do të përbënte provokim. Ai ka vizituar ndërkaq çadrat e grevistëve ku janë mbyllur rreth 200 njerëz. Stacionimi para Kryeministrisë duket se i përmbahet skenarit të rrethimit me kordon njerëzor të selisë së qeverisë në një përpjekje për të lënë edhe drejtuesin e saj jashtë zyrës së vet. Nga ana tjetër duket se edhe përfaqësues të tjerë të opozitës si drejtuesi i G99, Erjon Veliaj, do të bëhen pjesë e saj në shenjë solidariteti me kolegët, por edhe si një dëshmi e kohezionit opozitar që është përforcuar sipas gjasave nga emri i Sali Berishës.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login