Qato, në ring për të mbrojtur titullin e kampionit në WBF

by Andi Bega on 02/05/10 at 6:01 pm

Boks

Boksi i rëndësishëm zbret sot në Tiranë. Natyrisht që dueli më i spikatur i mbrëmjes është ai ku Kreshnik Qato do të mbrojë titullin e kampionit të botës në versionin WBF. Në orën 20.00, në ring përballë kampionit shqiptar do të jetë sfidanti argjentinas, Valdemar Ponce (16 fitore, 4 humbje dhe një barazim). Qato duket i favorizuar në këtë përballje, jo vetëm prej faktit sepse ka më shumë eksperiencë, por edhe sepse kundërshtari i tij nuk ka zhvilluar asnjëherë një duel prej 12 raundesh, ashtu si parashikohet në sfidat për titujt botërorë. Pas përgatitjeve njëmujore në Francë, gjatë peshimit zyrtar të boksierëve gjatë pasdites së djeshme, 32-vjeçari nga Durrësi është shfaqur në formë për të mbrojtur për herë të katërt brezin e kampionit. Qato e ka fituar titullin në WBF në prill të vitit 2008, ndërsa është i pamposhtur gjatë katër viteve të fundit, duke regjistruar 14 fitore radhazi. Mbrëmja në pallatin e sportit “Asllan Rusi” do të nisë prej orës 18.00, ku do të zhvillohen edhe tri duele të tjera. Përveç sfidës së boksierit kosovar, Shpëtim Shala, me kroatin Josip Jalushiç, në program është edhe një përballje për titullin WBF International në kategorinë e rëndë, ku do të ndeshen hungarezët Laszlo Hubert e Zoltan Beres. Gjithashtu do të zhvillohet edhe një duel femrash, ku australiania Laura Saperstein do të përballet me rumunen Daniela David.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login