Kuzhe “jo” D. Zagrebit “Qëndroj me Shqipërinë”

by on 02/05/10 at 5:59 pm

Trajneri kuqezi, dje në Itali për Edgar Canin

Shqipëria vazhdon të mbetet zgjedhja e parë e Josip Kuzhe. Trajneri kuqezi ka refuzuar një ofertë konkrete që presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, i ka bërë për të marrë drejtimin e klubit të mirënjohur kroat. Vetëm pak ditë më parë, mediat në Kroaci konfirmonin se Josip Kuzhe ishte një prej alternativave për të marrë drejtimin e stolit të Dinamos së Zagrebit. Emri i drejtuesit të stolit të Kombëtares shqiptare, së bashku me disa trajnerë të tjerë (Nikola Jurçeviç, Igor Pamiç e Niko Kovaç sa për të përmendur disa) cilësoheshin si pasardhësit e mundshëm të Kruno Jurçiç. Tashmë Kuzhe ka zbuluar se është kontaktuar personalisht nga kreu i Dinamos së Zagrebit, megjithatë ai nuk ka preferuar të lejë përgjysmë punën e nisur me përfaqësuesen shqiptare. “Jam një kandidat për postin e trajnerit te Dinamo? Jo. Në një bisedë që kam zhvilluar së fundmi me presidentin e këtij klubi, Zdravko Mamiç, i kam thënë se nuk ekziston asnjë mundësi që të kthehem brenda një kohe të shkurtër te Dinamo”, janë fjalët e teknikut 57-vjeçar. Ai është një personazh mjaft i njohur te Dinamo e Zagrebit dje një prej trajnerëve më të dashur të tifozëve. Në karrierën si futbollist, ai ka luajtur me “blutë” nga viti 1971 deri më 1981, ku në 384 ndeshje si mbrojtës ka realizuar 14 gola. Si trajner, në periudhën 1986-’88, Kuzhe ka punuar me të rinjtë te Dinamo, ndërsa për dy sezone (1989-’91) drejtoi skuadrën e parë. Në vitin 2005 u kthye në krye të stolit të ekipit nga Zagrebi, duke fituar titullin kampion që prej sezonit të parë, por u largua në nëntor të 2006-s, si rrjedhojë e eliminimit nga Arsenali në turin eliminator të Champions League, edhe pse skuadra ishte konkurrente për titullin në Kroaci.

Momentalisht Josip Kuzhe mendon vetëm për Shqipërinë. Ai shtoi: “Për momentin më intereson vetëm të vazhdoj punën si trajner i Kombëtares shqiptare. Jam i kënaqur nga ajo që kemi bërë deri më tani, kam arritur të krijoj një atmosferë të mirë në ekip. Ndodhemi në një grup të vështirë dhe po punojmë për miqësoret e radhës përballë Malit të Zi dhe Andorrës. Po përgatitemi për të kompletuar skuadrën për eliminatoret e Euro 2012, ku synojmë që të afrojmë disa elementë të rinj në kontingjent”. Në fakt, për një mision të tillë, gjatë ditës së djeshme trajneri ka qenë i pranishëm në stadiumin “Leonardo Garili”, për të ndjekur sfidën e Serisë B, ku Piaçenca barazoi 1-1 me Viçencën. I vëzhguari special i Kuzhesë ishte sulmuesi Edgar Cani, i cili e nisi takimin si titullar. Sulmuesi, njëri prej kandidatëve për një fanellë kuqezi, ishte protagonist në aksionin e avantazhit të vendasve. 20-vjeçari, që deri më tani ka realizuar pesë gola në kampionat, u zëvendësua në minutën e 79-të të ndeshjes.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login