Kriza, qëndrimi i ri nga Brukseli

by on 02/05/10 at 5:48 pm

Acarimi i krizës politike në Shqipëri pritet të përshkallëzojë edhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Përfaqësues politikë të Partisë Socialiste bënë të ditur dje për gazetën “Shqip”, se aktualisht në Presidencën e Bashkimit Europian është hartuar një draft deklaratë për situatën në Shqipëri, e cila pritet të miratohet ditën e martë. “Ka një draft paraprak që po qarkullon në Presidencën e BE dhe që do të miratohet ditën e martë”, u shpreh deputetja Valentina Leskaj. Një sinjal i parë ky se aksioni socialist ka prodhuar jehonë në arenën ndërkombëtare dhe që paralajmëron se përgjegjësia politike e qeverisë shqiptare është bërë pikë kritike e situatës. Po kështu, burime nga ekipi drejtues i PS ka bërë të ditur se komunikimi provat mes përfaqësuesve politikë të saj dhe selive diplomatike të akredituara në Tiranë kanë vijuar përgjatë gjithë kohës edhe pse një qëndrim zyrtar prej këtyre të fundi ende nuk është bërë prezent. Edhe pse detajet e draftit të pritshëm nuk janë ende të njohura është me vend që të merret në konsideratë një vijë qendrore e mesazheve që ai përmban. Kështu, një lexim i ftohtë i gjendjes aktuale legalizon idenë se menaxhimi politik i saj i faturohet qeverisë aktuale. Rrjedhimisht apeli i pritshëm për zgjidhjen e krizës është një zhvillim që favorizon opozitën shqiptare. Dhe jo vetëm për shkak të reagimit në një kohë shumë të shkurtër të komunitetit ndërkombëtar, por edhe pse deklarata e Presidencës pason një sërë qëndrimesh të tjera politike të mbërritura nga BE. Këto të fundit kanë regjistruar një standard i cili nuk dha zgjidhje e për pasojë e bën taksativ përdorimin e një gjuhe më të qartë dhe më të prerë ndaj palëve në konflikt. Pritmëritë e opozitës rriten praktikisht pasi intereferimi në skenë i komunitetit ndërkombëtar rifokuson vëmendjen, tanimë me tone të tjera ndaj qeverisë që nuk mund t’i anashkalojë më përgjegjësive të veta. Pa rritur vlerën politike të protestës së rrugës dhe grevës së urisë, duhet thënë se sfida e PS me këtë rast është pika e kthesës në qëndrimin e saj; pra nëse ajo do të mendojë për një kompromis apo për një formulë që integron arsyet e betejës së saj disa mujore. Një moment që e ndihmon selinë rozë është edhe përjashtimi i çështjes së vizave nga axhenda e krizës politike, e cila deri më tani ka ushqyer një propagandë agresive nga ana e shumicës. Duke marrë në konsideratë këtë fakt por edhe informacionin se në tërësi diplomacia ndërkombëtare e pranishme në Tiranë pret dhe kërkon në mënyrë informale nga qeveria që të japë një rrugëdalje për situatën, është me vend të mendohet se opozita po afron drejt vetes një pozitë vendimtare negocimi. Kompromisi që do të arrihet është thuajse me të njëjtën rëndësi me aksionin e tanishëm që paradoksalisht i ka vendosur Sali Berishës një krizë të prodhuar me mjetet e përdorura prej tij në opozitë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login