Berisha: Integrimi erdhi nga vota e lirë

by on 02/05/10 at 5:54 pm

Arritjet e Shqipërisë drejt NATO-s dhe Europës i bëri të mundur vota juaj e lirë. Ky ishte mesazhi që kreu i qeverisë, Sali Berisha u dha qytetarëve të mbledhur dje në sheshin “Nënë Tereza” për koncertin festiv të 1 Majit, të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kryeministri në fjalën e tij përshëndetëse qëndroi larg akuzave politike dhe asaj që po ndodhte pak metra më larg me deputetët e PS-së, duke theksuar se qytetarët ishin mbledhur për të nderuar veprën e gjithsecilit për ndërtimin e Shqipërisë Europiane. “Vendimeve për të çelur portat për këtë vend dhe për këtë komb drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, vendimeve për të lëvizur të lirë, pa viza. Të gjitha këto i bënë të mundur djersa, mundi, përkushtimi juaj. I bëri të mundur vota juaj e lirë”, theksoi kreu i qeverisë, duke mos preferuar t’i kthejë përgjigje në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzave të opozitës. Duke folur për të gjithë qytetarët, kreu i qeverisë kërkoi kontributin e të gjithëve për të vijuar edhe më tej në rrugën e integrimit dhe për të arritur liberalizimin e vizave për shqiptarët. “Le të bashkojmë përpjekjen tonë dhe ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e vendimeve të mëdha për lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Europën”, bëri dje thirrje Kryeministri nga sheshi “Nënë Tereza”. Ndërsa nga ana tjetër nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi dje në një prononcim për mediat e konsideroi grevën e urisë së 22 deputetëve të Partisë Socialiste si një grevë për motive personale të kryetarit të tyre, Edi Ramës. Sipas tij, protesta dhe greva e deputetëve të selisë rozë kishte edhe si qëllim të pengonte integrimin e shqiptarëve në BE dhe të bllokonte procesin e liberalizimit të vizave. “Jemi këtu për t’ju treguar qytetarëve Shqipërinë e vërtetë, atë që ne duam realisht, integrimin e vendit. Grupi i milionerëve të futur në grevën e urisë ndodhet atje për motive personale të kreut socialist, Edi Rama”, deklaroi Paloka. Sipas tij, “bllokmenët e rinj” kërkonin të bënin një revolucion dhe të mos pranonin realistin në vend. Në të njëjtën linjë u shpreh dje edhe deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda. Sipas saj, socialistët duhet t’i bashkoheshin kauzës së demokratëve, për të integruar vendin në BE dhe për t’i bërë shqiptarët të lëviznin të lirë pa viza. Por sipas Dodës, këto thirrje të mazhorancës nuk dëgjoheshin nga socialistët, të cilët kishin vendosur të protestonin për të mbrojtur interesat personale të kryetarit të tyre. Në lidhje me grevën e urisë së deputetëve të PS-së, Mesila Doda, ironizoi duke theksuar se “Nuk mund të kishe pushtet, duke mos ngrënë bukë”. Duket se demokratët janë të vendosur në qëndrimin e tyre se kërkesat e opozitës duket të zgjidhen vetëm nëpërmjet asaj që ata quajnë, rrugë të Kushtetutës dhe të ligjit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login