Superiorja, kampionati i 65 në botë
by Andi Bega on 07/01/10 at 4:50 pm
Kategoria Superiore renditet në vendin e 65 mes 100 ligave më të forta në botë. Kampionati elitar në vendin tonë ka 289 pikë në klasifikimin e vitit 2009 të Institutit Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS), po aq sa edhe Liga qipriote, e cila ndodhet një vend më poshtë. Ecuria e kampionatit shqiptar në këtë renditje ka ardhur në rënie gjatë gjithë vitit 2009, që në mars pozicionohej e 56-a, ndërsa në gusht e 62-a. Për t’u theksuar është fakti se Superiorja është lënë mbrapa nga kampionatet e Iranit, Zambias, Sudani, Libia, Siria, Hondurasi e Tajlanda, ndërsa mund të ngushëllohemi me faktin se Letonia, Finlanda, Kina dhe Islanda kanë kampionate më të dobëta. Në një krahasim me ligat ballkanase, Shqipëria mban vendin e tretë nga fundi. Turqia në vendin e 10 është e para, pas saj vijnë Rumania (11), Greqia (13), Bullgaria (35), Serbia (36), Kroacia (37), Sllovakia (38) dhe Sllovenia (61). Pas Shqipërisë ndodhen vetëm Maqedonia (në vendin e 79) dhe Bosnjë-Hercegovina (100). Renditja e IFFHS-së organizohet prej vitit 1991 dhe ajo bazohet në rezultatet e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare të klubeve. Anglia është konfirmuar si kampionati më i fortë në botë edhe për vitin 2009, por diferenca e Premiershipit me ndjekësit është ngushtuar në krahasim me 12 muaj më parë. La Liga spanjolle dhe Bundesliga gjermane kanë shfaqur ngritje të nivelit, e tashmë ato mbajnë vendet 2 dhe 3 në klasifikim. Seria A braziliane ndodhet e katërta, përpara Serisë A italiane dhe Ligës 1 franceze, ndërsa pas tyre renditen Argjentina, Holanda dhe Ukraina.
Leave a Comment