Opozita: Përmbytjet, “Gërdeci i dytë” i qeverisë “Berisha”

by Andi Bega on 07/01/10 at 3:48 pm

Braçe: Ministri i Energjetikës e dinte situatën e vështirë

Opozita shqiptare ka akuzuar qeverinë se ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve, duke mos menaxhuar siç duhet situatën e ujërave të liqeneve mbi Drin. Deputeti socialist, Erion Braçe, ka shkuar edhe më tej në akuzat e tij, duke deklaruar se qeveria ka bërë “biznes me ujin e liqeneve”.

Deputeti Braçe u ka bërë apel banorëve të zonave të përmbyten të largohen nga zonat e banuara, pasi sipas tij, “katastrofa që po konsumohet në dëme të mëdha materiale-pronësore e që rrezikon të thellohet në dëme njerëzore, materiale-pronësore, ekonomike gjithashtu, nuk është produkt i kushteve atmosferike”. Ka qenë një akuzë komplekse ajo e opozitës në lidhje me situatën e krijuar në fshatrat e Nën-Shkodrës, pasi sipas socialistëve nuk ka asnjë të dhënë që të jep të kuptosh se situata e motit ka qenë e jashtëzakonshme dhe e ka provokuar këtë gjendje të rëndë.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi dje se “të gjitha të dhënat që ne disponojmë, që janë zyrtare e publike, dëshmojnë për një vjeshtë e dimër të sapo nisur në kushte normale, me reshje të trendit të zakonshëm, aspak të jashtëzakonshme në kufij, që të mund ta justifikojë këtë gjëmë”. Parlamentari i PS-së ka deklaruar më tej se “numrat rrëzojnë alibinë me “ngrohje globale” të Kryeministrit Sali Topalli, po aq sa kori popullor “na myti shteti” adreson përgjegjësinë penale te qeveria”. Më tej Braçe e ka krahasuar argumentimin e qeverisë mbi përmbytjet me atë të katastrofës së Gërdecit që ndodhi më 15 mars të vitit 2008, ku humbën jetën 26 veta. “Alibia e ‘aksidentit teknologjik’ në Gërdec, e përsëritur në formën e ‘katastrofës natyrore’ në Shkodër, nuk shpëton më dot askënd”, tha deputeti i PS-së.

Argumentet

Sipas socialistëve, qeveria ka bërë biznes me ujin e hidrocentraleve për shkak të mungesës së parave në buxhetin e shtetit. Gjithashtu deputeti Braçe, në argumentet e tij për arritjen në këtë situatë, theksoi se “prodhimi dhe eksporti i fortë i energjisë elektrike është parë si mundësia reale që qeveria të rregullojë llogaritë e saj”. Por akuzat e socialistëve nuk mjaftojnë me kaq, pasi sipas deputetit të së majtës, pikërisht për të mbledhur para nga qeveria “është stimuluar fort mbledhja e ujit në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, veçmas në Fierzë. Hidrocentrali atje, në nëntor e dhjetor nuk ka punuar thuajse fare në të gjithë agregatet e tij”.

Opozita shqiptare ka deklaruar se mbledhja e ujit në kaskadë ka detyruar një regjim të fortë importi për OSSH-CEZ, import që vijon edhe tani. Por, në mënyrën më të habitshme e gjitha kjo ka ndodhur kur të paktën Ministria e Ekonomisë ishte në dijeni të gjendjes së vështirë në liqenet e kaskadës së Drinit. 20-30 ditë më herët, në datë 8 nëntor, ministri i Ekonomisë kishte ngritur një komitet të posaçëm për të menaxhuar situatën hidroenergjetike në vend. Dëshmi e fortë se menaxhimi i tillë me regjim importi dhe mbledhje uji në liqene ka qenë i qëllimtë. Sipas Braçes, menaxhimi i ujit në liqenet e kaskadës së Drinit për qëllime biznesi, duke shkelur çdo ligj, çdo rregullore të administrimit të tyre në fuqi, çdo rregull bazë të sigurisë kombëtare, bëri që në Fierzë qeveria ta çonte nivelin e ujit në liqenin e hidrocentralit në mbi 195 metra, 5 metra mbi nivelin e sigurisë e disa metra të tjera mbi nivelin e lejuar të periudhës.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login