Nis vlerësimi i cilësisë së shkollave 9-vjeçare

by Andi Bega on 07/01/10 at 4:03 pm

Në përfundim do të hartohet edhe një listë nga më të mirët te më të këqijtë

Të gjitha shkollat 9-vjeçare në vend do të vlerësohen për cilësinë e tyre në mësimdhënie. Pas përfundimit të këtij procesi do të bëhet edhe një renditje e këtyre institucioneve të arsimit të detyruar. Në krye do të qëndrojnë emrat e shkollave më të mira. Ndërsa në fund të listës do të jenë ato që jo vetëm nuk do të preferohen, por prindërit do të bëjnë ç’është e mundur që të mos i lënë aty fëmijët e tyre.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, shprehet se në këtë ministri është ngritur një grup pune që po merret posaçërisht me aplikimin e një vendimi të marrë për këtë çështje. Vlerësimi i shkollave 9-vjeçare, sipas tij ka ardhur si një nevojë e domosdoshme pas ndryshimit të strukturës dhe programeve të tyre mësimore.

Drejtori Vejsiu pohon se tashmë është përgatitur një meny me kritere, të cilat duhet të përmbushen nga shkollat në mënyrë që ato të renditen sa më lart në klasifikimin e përgjithshëm. Me modalitetet e këtij vlerësimi do të merren drejtoritë arsimore në rrethe përmes inspektorëve të tyre. Për të gjitha shkollat 9-vjeçare do të bëhet një vlerësim i brendshëm dhe një i jashtëm.

Rezultatet e përgjithshme të nxënësve konsiderohen si një ndër kriteret e rëndësishme në këtë vlerësim. Po kështu edhe mesatarja e notave që merren në provimet e lirimit. Përveç këtyre kritereve do të vlerësohen edhe kushtet që ofrojnë shkollat për sa i përket infrastrukturës, ambienteve, laboratorëve dhe pajisjes së tyre. Një vend të veçantë në këtë vëzhgim të detajuar të shkollave 9-vjeçare do të ketë edhe përdorimi i uniformave nga nxënësit, si dhe numri i largimeve nga orët e mësimit. Por nuk do të harrohen elemente të rëndësishme të mësimdhënies, ku kualifikimi i mësuesve do të zërë një pjesë të konsiderueshme në vlerësimin e përgjithshëm.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e konsiderojnë këtë proces si mjaft të vlefshëm për çdo familje shqiptare. Kjo për shkak se çdo prind do të ketë mundësi që të përmbushë pretendimet e tij për fëmijët. Ndërkohë që një klasifikim i tillë i shkollave mendohet të rrisë edhe garën mes tyre për të arritur rezultate sa më të mira në mësimdhënie.

Një proces i tillë e ka zanafillën në një rekomandim të bërë nga ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo. Aktualisht, po punohet për përgatitjen e një vendimi të aplikueshëm lehtësisht në terrenin shqiptar.
Në listën e shkollave më të mira dhe më të këqija do të jenë jo vetëm ato publike, por edhe ato private.

Ky proces mendohet të shtrihet më pas edhe në shkollat e mesme, në të gjithë vendin. Ai ngjason jo pak me procesin akreditues të universiteteve publike dhe private në vend, që gjithashtu do të kryejë edhe një klasifikim se cilët janë më të mirët.

Cilësia e shkollave shqiptare dhe rezultatet e nxënësve janë ndër çështjet më të polemizuara të arsimit në vendin tonë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login