Murinjo: Dua një përforcim
by Andi Bega on 07/01/10 at 5:37 pm
Zikaltrit fitojnë mes polemikave me Kievon. Baloteli, akuza tifozëve veronezë.
Interi e nis vitin 2010 me fitore dhe shpallet kampione e dimrit në Serinë A italiane. Zikaltrit fituan 1-0 në fushën e Kievos falë një goli të Mario Balotelit në minutën e 12. Kur mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur nga faza e parë, skuadra e Zhoze Murinjos ka grumbulluar 42 pikë. Takimi, i cili hapi javën e 18 të kampionatit, është luajtur në orën 12.30. Një orar që Liga Italiane e Futbollit e ka justifikuar me afrimin e publikut aziatik: por, duke parë mënyrën sesi rrodhi loja, do të ishte më mirë që imazhet mos të kishin arritur asnjëherë në këtë kontinent.
Fusha, në kushte jashtëzakonisht të këqija në stadiumin “Bentegodi”, ua ka vështirësuar punën dy skuadrave. Rrallë mund të shihje dy pasime radhazi dhe në përgjithësi ndeshja kishte shumë faulle, thyerje dhe aspak spektakolare. I vetmi që i ka dhënë pak cilësi përballjes ishte holandezi Shnajder me manovrat e tij. Një sfidë e tillë mund të përcaktohej vetëm nga një episod: rasti më i mirë u paraqit në formën e një kundërsulmi të shpejtë të Interit, kur kronometri tregonte 12 minuta lojë. Pas një kontakti në zonën zikaltër, ku kapiteni i Kievos, Pelisier pretendonte 11-metërsh, të besuarit e Murinjos dolën shpejt në sulm me treshen Milito-Pandev-Shnajder, duke nxjerrë Balotelin të lirë përballë Sorrentinos: gjuajtja e parë u grushtua nga portieri vendas, ndërsa tentativa e dytë e sulmuesit të talentuar me pasaportë italiane përfundoi në rrjetë.
Pas golit që zhbllokoi rezultatin, ndeshja u karakterizua nga kartonët e shumtë (gjashtë për Interin dhe tri për Kievon), një tjetër pretendim i vendasve për një penallti të paakorduar nga gjyqtari Pierpaoli në minutat shtesë, por edhe nga momentet e frikës, pas një dëmtimi në kokë të Kristian Kivut. Rumuni u dërgua menjëherë në spitalin e Veronës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas stafit mjekësor të zikaltërve, operacioni ishte i domosdoshëm për të mbyllur frakturën në kafkën e lojtarit.
Në sfidën e luajtur dje, mund të veçohen edhe debutimi i Arnautoviç me Interin në Serinë A dhe lamtumira e Patrik Vieirasë, i cili përshëndeti shokët e skuadrës dhe tifozët, pasi sipas të gjitha gjasave do ta vazhdojë karrierën te Mançester Siti i Roberto Mançinit. Largimi i mesfushorit francez u konfirmua nga Murinjo, i cili deklaroi se skuadrës i nevojitet edhe një përforcim. “Jam i lumtur, ndeshjet e fituara në këtë mënyrë janë ato që i dhurojnë trajnerit buzëqeshjen. Skuadra paraqiti karakterin e saj në fushë: në futboll, diferenca bëhet nga personaliteti i lojtarëve dhe sot ishim perfektë”, deklaroi tekniku luzitan.
“Përpara kësaj sfide kishim probleme me kontingjentin dhe morëm pikët maksimale falë grintës që shfaqëm. Vieira? Ai zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme. Nuk mund të na dhuronte një lamtumirë më të mirë se kjo. I uroj fat në aventurën e tij të re dhe mund të them se do të më mungojë një lojtar i tillë. Për mendimin tim, Patrik do të luajë në Angli. Më mungon një lojtar në mesin e fushës, por nuk kam të drejtë t’i kërkoj asgjë klubit. Bëj maksimumin me lojtarët që kam në dispozicion. Faulli me dorë i Kuarezmës në të 95-n në zonë? Jo, m’u duk sikur topin e preku me kokë Jepes…”. Të gjithave këtyre i shtohet edhe zemërimi i Balotelit, që në fund të ndeshjes ka akuzuar publikun veronez. “Tifozët në Verona ma shpifin sa herë që luaj në këtë stadium”, tha sulmuesi, duke iu referuar kontestimeve të vazhdueshme.
Leave a Comment