Mançini: Tifozët e Junajtid do pendohen sa të jenë gjallë
by Andi Bega on 07/01/10 at 5:16 pm
Sheiku Mansur mendon për shlyerjen e borxhit prej 92.6 milionë sterlinash për vitin 2009
Trajneri i ri i Mançester Sitit, Mançester Sit, dëshiron të shmangë konfliktet me Sër Aleks Fergusonin, por, nga ana tjetër, ka sulmuar direkt tifozët e Mançester Junajtid. Sa herë që përballen Mançester Siti dhe Mançester Junajtid, tifozët e “Djajve të Kuq” vendosin një pankartë të madhe, në të cilin shkruhet numri i viteve që nga koha kur Siti ka fituar trofeun e fundit dhe për këtë Mançini shprehet: “Do t’i bëj tifozët e Junajtid të pendohen sa të jenë gjallë për atë pankartë që kanë vendosur.
Nuk do të kalojë kohë e gjatë dhe do të shikojnë “me gisht në gojë”, kur ne të triumfojmë. Pas transferimit të Karlos Tevez nga Junajtid te Siti, tifozët e Sitit kishin vendosur një pankartë të madhe në qendër të qytetit, ku shkruhej: “Mirë se erdhe në Mançester”, gjë që e irritoi jashtë mase Fergusonin, i cili e përkufizoi Sitin si “klub i vogël pa mentalitet”. Ferguson bëri shaka kohë më parë, duke thënë se Mançini do të jetë vetëm pasuesi i Hughes dhe se së shpejti do të largohet. “Është normale, sqaroi më tej Mançini. Është shaka ajo çfarë tha ai, por tani shpresoj të qëndroj sa më shumë. Shpresoj të qëndroj këtu sa më shumë që të jetë e mundur. A më ka kontaktuar Sër Aleks? Jo, sepse nuk e ka numrin tim.
Por ai është njeri i mirë. Kam respekt të madh për të. Sër Aleks fitoi shumë trofe dhe është trajneri më i mirë në botë. Por unë do ta mposht, kjo është normale. Nuk luajmë për të humbur. Kemi respekt, por do ta mposhtim Sër Aleksin dhe Junajtidin e tij”, tha në fund Mançini. Pronari arab i Sitit ka menduar të sheshojë një tjetër problem, atë të borxheve të klubit. 92.6 milionë sterlina, baras me rreth 103 milionë euro: kaq ishte borxhi i klubit për të mbyllur 2009-n, bilanci i dytë më i keq në historinë e Premier League, pak më e vogël se “vrima e zezë” e Çelsit prej 140 milionë sterlinash në sezonin 2004-‘05.
Por e gjithë shuma bashkë me blerjet e verës kap shifrën e 305 milionë sterlinave, të cilat i ka shlyer të gjitha sheiku Mansur, madje duke paralajmëruar edhe investime të tjera në shifrën 90 milionë. Padroni i Sitit ndoqi rrugën e Roman Abramoviçit, që në fund të dhjetorit shleu borxhet e Çelsit prej “vetëm” 44 milionë sterlinash.
Leave a Comment