KESH detyrohet të dyfishojë derdhjet

by Andi Bega on 07/01/10 at 3:58 pm

Fierza, drejt pikës kritike. Prurjet 800 metra kub/s. Situatë alarmante

Hidrocentralet kryesore në veri të vendit janë duke shkarkuar sasi të konsiderueshme uji, si pasojë e mbingarkesës së krijuar nga reshjet e shiut dhe dëborës. Situata paraqitet alarmante, megjithatë KESH dhe stafi i tij janë duke u përpjekur të bëjnë një menaxhim sa më efikas. Gjatë ditës së djeshme nuk kanë reshjet e mëdha, duke tejfryrë nivelet e liqenit të Fierzës. Prurjet u dyfishuan gjatë pasdites, kurse situata në zonat e banuara pranë lumenjve kapërceu parashikimin. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet 3 metra larg pikës kritike për shkak të prurjeve të mëdha të regjistruara në masën 800 metra kub ujë në sekondë. Pavarësisht menaxhimit, reshjet e mëdha dhe shkrirja e dëborës kanë rënduar situatën, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë me shkarkime ujërash. Sipas Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore, në Lezhë dhe Shkodër, reshjet e shiut kanë qenë 38.2 dhe 58 milimetra. Ndërkohë, në Kukës ka shkrirë rreth 12 centimetra dëborë, e cila e ka rritur prurjet në pellgun ujëmbledhës të liqeneve në kaskadën e Drinit. Si pasojë e reshjeve, niveli aktual në liqenin e Fierzës është rritur sërish, duke arritur në 292 metra ose 2 metra mbi pikën kritike.
Shkarkimet

Një pjesë e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë është shkaktuar nga shkarkimet e ujit të kryer nga hidrocentralet, si masë parandaluese ndaj shpërthimeve. E detyruar dhe pa rrugëdalje tjetër, KESH ka hapur serish portat e Fierzës, duke shkarkuar 400 metra kub ujë në sekondë nga Fierza dhe 1100 metra kub ujë nga Komani. Ndërkaq, nga Vau i Dejës shkarkimi është 1200 metra kub në sekondë, rreth 100 për qind më i lartë se një ditë më parë. Sipas të dhënave më të fundit, në të tre hidrocentralet prodhimi i energjisë elektrike ka arritur kuotën maksimale historike ditore, mbi 28 milionë kilovat/orë, por sërish kjo sasi prodhimi nuk mund sjellë shpresa për ulje të nivelit të liqenit. Situata në kaskadën e Drinit mbetet alarmante, sepse me këtë nivel prurjesh, edhe pse hidrocentralet punojnë me gjithë fuqinë e tyre, niveli i Fierzës po vazhdon të rritet. Në këtë pikë, KESH nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të hapë portat e hidrocentraleve për të derdhur sasi të mëdha uji, duke sjellë në mënyrë të pashmangshme të tjera përmbytje në zonën e Shkodrës dhe Lezhës.
Eksporti dhe fitimi

Prodhimi i energjisë elektrike po thyen çdo ditë rekordin historik. Gjatë ditës së djeshme u regjistrua niveli më i lartë, prej rreth 28 milionë e 300 mijë kilovat në orë energji të prodhuara nga hidrocentralet, kryesisht në veri të vendit. Aktualisht KESH po eksporton rreth 12 milionë kilovat energji elektrike në ditë, ku gjysma është depozitim dhe pjesa tjetër me para në dorë. Sipas drejtorit të përgjithshëm të KESH, Muharem Stojku, energjia elektrike po shitet me çmime të përcaktuara nga bursa e Athinës, minus 2.3 për qind transporti. Stojku thotë se gjatë vitit 2009, KESH krijoi afro 25 milionë euro të ardhura, kurse këtë vit pritet dyfishi.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login