Trualli në qendër, forcohet gërnja PS-qeveri

by on 02/11/09 at 5:50 pm

Eduard Shalsi, akuza të rënda për Kryeministrin: Berisha i është turrur pronave si i babëzitur

Trualli në qendër të kryeqytetit, mes Rrugës së Durrësit dhe Kavajës, dita-ditës vazhdon të jetë pjesa e dytë e “telenovelës” së Zogut të Zi. Për tri ditë me radhë, akuzat dhe deklaratat lidhur me këtë truall kanë ardhur duke u ashpërsuar.

Për këtë mjedis, pak metra larg sheshit “Skënderbej”, ekzistojnë dy versione zhvillimi: njëri, sipas bashkisë, që është pronë private, për të cilën Këshilli Rregullues i kryeqytetit ka dhënë një sërë vendimesh edhe të drejtën për pajisje me leje ndërtimi, ndërsa versioni i dytë i qeverisë sqaron se ky shesh është pronë shtetërore dhe për këtë është menduar që të kthehet në një shesh pushimi, lulishte me hapësirë të gjelbër.

Sakaq, dje, pas një serie deklaratash të dy ditëve më parë, ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i cili, në një deklaratë zyrtare, ka folur me tone tejet të ashpra.

Sakaq, sipas administratorit të Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, prona për të cilën bëhet fjalë është në pronësi private të Komunitetit Mysliman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika, e vërtetuar me certifikatë pronësie. Kjo pronë ka një histori 14- vjeçare miratimi lejesh, ku gjejmë emrat e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe kryeministrave të mëparshëm.

Reagimi

“Pas këtij demonstrimi të paligjshëm force, fshihet pushteti i paligjshëm i Sali Berishës, që u është turrur pronave publike dhe private, me një babëzi e verbëri të paparë. Kjo dhunë bëhet për t‘i detyruar pronarët e ligjshëm që të lidhin kontrata me sekserët e Sali Berishës, të cilët janë lëshuar si hiena kudo”, sqaroi Eduard Shalsi. Sipas tij, dhuna tregon fytyrën e vërtetë të Sali Berishës, këtij punisti që tashmë kërkon të kthehet në latifondist, duke vjedhur pronat e popullit, duke vjedhur votën e tjetrit, biznesin e tjetrit, pronën e tjetrit. “Është e patolerueshme, e papranueshme, që këto gjëra të ndodhin në mes të ditës, në mes të Tiranës. Për këtë shesh këtu është organizuar një konkurs ndërkombëtar dhe i është dhënë leje nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, ku kanë votuar pro si përfaqësuesit e PS-së ashtu edhe përfaqësuesit e PD-së”, ka theksuar Shalsi. Deputeti i Partisë Socialiste e ka mbyllur fjalën e tij duke u shprehur: “Kjo, me sa duket, nuk i mjafton të bijës dhe të birit të Sali Berishës, të cilët kërkojnë nga baca e tyre Sali, nga një pronë përditë. Por ta harroj baca Sali, se mund t‘i bëjë pronat e popullit dhuratë për fëmijët e vet. Këtu do të jemi”.

Përplasja

Bashkia e Tiranës ka paditur dy ditë më parë në prokurori Policinë e Shtetit. Padia, sipas përfaqësuesve të bashkisë, është ngritur për shkak se policia ka arrestuar inspektorin Genti Lala, pas përplasjes mes dy policive. Në veprimet e tyre, ata kanë shoqëruar për shkak të cilësive të veçanta, inspektorin e lartë, përgjegjës të zonës, për disa orë në Komisariatin e Tiranës. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka bërë një kallëzim penal për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të Qarkut të Tiranës, gjithashtu, për përfaqësuesin e Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, dega Tiranë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login