Rriten sërish depozitat dhe kreditë
by Andi Bega on 02/11/09 at 5:04 pm
Depozitat u rritën me rreth 30 milionë euro, duke vijuar tendencën pozitive të gushtit
Totali i depozitave në sistemin bankar shqiptar u rrit me rreth 4 miliardë lekë (rreth 30 milionë euro) gjatë muajit shtator, shifër kjo shumë më e vogël nga rritja e gushtit prej 25 miliardë lekësh, por që gjithsesi shënoi vijimin e tendencës pozitive. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat statistikore të publikuara prej Bankës së Shqipërisë. Depozitat në lekë u rritën me 1.6 miliardë lekë, ndërkohë që depozitat në valutë u rritën me 2.3 miliardë lekë. Një pjesë e rritjes së depozitave në valutë është thjesht një ndryshim matematikor, për shkak të zhvlerësimit të lekut kundrejt euros. Të dhënat për depozitat raportohen në lekë dhe depozitat në valutë konvertohen me kursin e datës së mbylljes së bilancit. Totali i depozitave në shtator ishte rreth 4 për qind më i ulët se një vit më parë, por, gjithsesi, është 6 për qind më e lartë se minimumi i këtij viti i shënuar në mars. Depozitat e individëve qenë përgjegjësit kryesorë në këtë rritje, ndërkohë që depozitat e kompanive shënuan rënie.
Kreditë
Totali i portofolit të kredive u rrit gjithashtu me 4.2 miliardë lekë, ku kreditë e dhëna në monedhën kombëtare u rritën me 937 milionë lekë. Edhe në statistikat e kredive, një pjesë e rritjes së portofolit është vetëm matematikor, i shkaktuar nga rivlerësimi i kredive në valutë. Kredia e re në euro e dhënë gjatë shtatorit ishte 86 milionë euro, shifër kjo më e ulët se në gusht, por gjithsesi më e lartë se sa mesatarja mujore e këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, ka shenja të rikthimit të bankave në tregun e kredive. Shumica dërrmuese e kredisë së re në euro gjatë shtatorit ishte me afat maturimi prej më pak se një vit, gjë që tregon se vështirësitë për likuiditet mes biznesit vijojnë të jenë të konsiderueshme. Kreditë e reja në lekë qenë 6.2 miliardë. Edhe këtu, pjesa më e madhe e kredisë kishte afat maturimi prej më pak se një vit.
Leave a Comment