Pronat, tensioni zhvendoset nga Orikumi në Borsh
by Andi Bega on 02/11/09 at 5:47 pm
Sarandë/ Fshatarët që morën tokën sipas Ligjit 7501 përballen me dokumentet e pronarëve të vjetër
Përplasja e interesave pronësore mes atyre që i ka bërë pronarë ligji i tokës dhe ish-pronarëve, ka gjasa të zhvendoset nga Orikumi për më në jug të vendit. Stacioni i radhës ku është krijuar precedenti për t‘u krijuar e njëjta situatë dhe i njëjti konflikt është bërë fshati Borsh i Komunës Lukovë. Më saktësisht ajo pjesë e tij që njihet me emrin Qazimpalaj.
Ditë më parë, në këtë pjesë të fshatit, në tokat e vendosura mbi atë që quhet Vila e Borshit, kanë mbërritur pretendimet pronësore, të mbështetura në dokumente mbi bazë trashëgimie, të një familjeje borshiote të vendosur dekada më parë në Tiranë. Njerëz të besuar të një këshilltari të Kr-yeministrit Berisha kanë qenë të autorizuar të bëjnë paralajmërimin e radhës për dhjetëra familje në Qazimpalaj, të bëra pronare sipas Ligjit 7501, që të përballen me tapi pronësie të padiskutueshme të një prej familjeve autoktone borshiote, siç është familja Husi. Mësohet se ata kanë shkuar në Borsh e pikërisht në Qazimpalaj dhe i kanë njohur pronarët e rinj me dokumentet e vjetra. Kjo nuk është pritur mirë dhe nuk mund të pritej mirë prej tyre, pasi askush nuk mund të pranojë lehtësisht të mbetet pa pronën e dhënë me shtet e me ligj. “Kësaj i thonë ‘unë pronar, ti pronar‘, kush do ta gëzojë tokën më parë?”, u shpreh njëri prej kryefamiljarëve që u ndje i kërcënuar nga pretendimet e paraqitu-ra në emër të ish-pronarit Glori Husi, këshilltar i Kryeministrit Berisha, i cili ishte edhe në listën e kandidatëve për deputetë të PD në zgjedhjet e 28 qershorit për Qarkun e Vlorës, ku përfshihet edhe Borshi e Saranda. Emisarët e tij, të dërguar në Borsh këto ditë, ikën pa arritur mirëkuptimin e pronarëve të rinj të tokës. E sigurt është se shkuarja e tyre, që mund të ishte një test pas asaj që ndo-dhi në Orikum, ngjalli reagimin e tyre në mbrojtje të kufijve të tokave siç i kanë përfituar nga zbatimi i Ligjit 7501. Banorët thonë se kjo vajtje, jo vetëm ka ngjallur shqetësim ndër ta, por edhe ka nxitur instinktin për vetëmbrojtje, për të mos lejuar të përsëriten skenat e dhunshme si në Orikum, ku Policia e Shtetit u angazhua në zgjidhjen e konfliktit, duke mbështetur ish-pronarët e duke dhunuar pronarët. Ditët pas sinjalit të parë që ka dhënë ish-pronari me njerëzit e vet, po kthehen në ditë të përpunimit të opinionit dhe të lëshimit të apelit për të protestuar fuqishëm ndaj pretendimeve të ish-pronarëve. Në Borsh thonë se në një kuptim, “trokitja” paralajmëruese e ish-pronarit u bëri mirë, pasi ata e kanë marrë si një sinjal të fortë. Ata kanë menduar që të rezistojnë në mbrojtje të ligjit që i bëri pronarë. Prandaj axhenda më e afërt përmban një tubim të gjerë kundër “flamës” që thonë se u erdhi nga Orikumi.
Leave a Comment