Kryetari i këshilltarëve bashkiakë të PD-së

by on 02/11/09 at 5:46 pm

Konflikti për truallin në qendër të Tiranës ka agravuar më shumë marrëdhënien qeveri-pushtet lokal. Kryetari i këshilltarëve të PD-së, në Bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni, theksoi dje se nuk ka leje ndërtimi në këtë truall. “Toka është pronë publike, pronë shtetërore dhe në mënyrë të paturpshme aty thuhet se ka leje ndërtimi kur aty asnjëherë nuk ka pasur një të tillë”, tha Poni. Kampi demokrat vazhdon me replikat, ku zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni i kundërpërgjigjet akuzave të socialistëve. Poni theksoi se Tirana duhet të çlirohet nga klika uzurpuese e Edi Ramës. “Ligji dhe institucionet e tij duhet të zbatohen në mënyrë korrekte dhe Tirana duhet të çlirohet nga klika uzurpuese e Edi Ramës, e cila turpësisht vihet 24 orë në 24 në shërbim të klaneve të ndërtimit”, u shpreh ai.

Pretendimet

Zv/ministri Poni hodhi poshtë pretendimet e bashkisë së kryeqytetit se ka leje ndërtimi për një objekt në kryqëzimin midis Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. “Bashkia e Tiranës nuk ndalet para asgjëje, as nga fakti që nuk ka pronësi mbi tokën, pasi ajo është shtetërore dhe as nga fakti që në mënyrë të paturpshme thuhet se ka leje ndërtimi, kur nuk ka”, deklaroi Poni. Pas kallëzimit penal të Bashkisë së Tiranës në adresë së të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, vijnë akuza të përshkallëzuar nga të djathtët e këshillit bashkiak. Poni akuzon kreun e saj, Edi Rama, si fajtor të përplasjes fizike në qendër të Tiranës, duke këmbëngulur në idenë se nuk ka asnjë leje ndërtimi në atë zonë.

Akuzat

“E kanë kthyer atë në shërbim të interesave të grupeve të ndryshme të ndërtimit, që nuk ndalen para asgjëje, as nga fakti që nuk e kanë pronësinë mbi tokën. Toka është pronë publike, pronë shtetërore; as nga fakti që në mënyrë të paturpshme aty thuhet se ka leje ndërtimi, kur aty asnjëherë nuk ka pasur një të tillë”, tha Poni. Drejtuesit e bashkisë akuzojnë Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin Kombëtar të Ndërtimit për cenim të pronës private. Ndërkohë për Ponin, e gjithë çështja është e lidhur me interesat personale të kryebashkiakut. “Asgjë nuk mund t‘i kthejë ekuilibrin mendor Ramës. Asgjë s‘mund ta shpëtojë atë nga përgjegjësia shumë e madhe e thyerjes në mënyrë të përsëritur, abuzive dhe kriminale të ligjit; përdorimit dhe kthimit të së gjithë administratës së Bashkisë së Tiranës në interes dhe përdorim të këtyre grupeve të interesit. Policia bashkiake e Tiranës dhe Inspektorati Ndërtimor i saj janë as më shumë dhe as më pak veçse vegla qorre dhe të bindura të interesave korruptive apo abuzive dhe kriminale”, tha Poni.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login