FMN: Si ikin jashtë vendit shpenzimet e qeverisë
by Andi Bega on 02/11/09 at 5:02 pm
Një studim i ekspertëve të fondit vëren se i gjithë deficiti buxhetor kthehet në deficit korrent
Një studim i ri i Fondit Monetar Ndërkombëtar del në konkluzionin se në vendet e vogla dhe të hapura, deficiti buxhetor i qeverisë konvertohet 100 për qind në deficit të llogarisë korrente brenda një periudhe të shkurtër kohore. Studimi që u publikua javën e shkuar vëren gjithashtu se deficiti i lartë buxhetor sjell edhe rritje të interesave realë të paguara për kreditë, depozitat dhe borxhet publike, gjë që dëmton zhvillimin ekonomik nga shumë drejtime.
“Duke marrë për analizë një vend të vogël, vërejmë se shpenzimet e larta nga buxheti i shtetit pasohen nga rritja e importeve, rritja e deficitit korrent dhe në terma afatgjatë në rënie ekonomike”, thonë studiuesit Michael Kumhof dhe Douglas Laxton.
“Ne analizuam pasojat që prodhon një stimul fiskal i barabartë me 1 për qind të PBB-së”, thuhet në studim. “Pasojat janë se fillimisht rriten interesat reale (të borxhit të brendshëm) dhe pastaj, për shkak se ky vend importon një pjesë të konsiderueshme të konsumit të vet, fuqia blerëse ikën nga mallrat vendase dhe sjell një rënie ekonomike prej 0.3-0.4 për qind të PBB-së. Por rezultati më tronditës shfaqet tek ecuria e bilancit të llogarisë korrente. Një stimul prej 1 për qind të PBB-së sjell rritje të deficitit të llogarisë korrente pothuajse në të njëjtën masë.
Shqipëria
Qeveria shqiptare ka rritur deficitin buxhetor në 6.2 për qind të PBB-së për vitin 2008, nga 3.5 për qind në vitin 2007. Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë u rrit nga -10.6 për qind në 2007 në -15.2 për qind në 2008-n. Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson diferencën mes valutës së dalë dhe asaj që ka hyrë në ekonominë shqiptare. Rritja e deficitit përtej një pike të caktuar shoqërohet detyrimisht me zhvlerësim të monedhës kombëtare.
Deficiti u rrit pjesërisht për të financuar rrugën Durrës-Kukës dhe pjesërisht për të rritur pagat dhe pensionet. Deficiti i lartë i buxhetit është mbuluar pjesërisht nga borxhet dhe pjesërisht nga të ardhurat nga privatizimi.
Shumë studime kanë nxjerrë në dukje faktin se një pjesë e madhe e deficitit buxhetor në një mënyrë apo një tjetër largohet nga vendi, duke sjellë edhe presion mbi monedhën kombëtare. Në prill, Banka e Shqipërisë publikoi një studim, ku doli në konkluzionin se në rastin e Shqipërisë kishte një lidhje mes deficitit buxhetor dhe deficitit të llogarisë korrente, pa hyrë në detaje se sa kanë ndikuar shpenzimet e tepërta të qeverisë. Por FMN-ja në studimin e vet vëren një korrelacion deri në 100 për qind, gjë që do të thotë se çdo lek shtesë i hedhur nga qeveria, është konvertuar automatikisht në valutë dhe është larguar nga vendi.
Qeveria nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi në këtë çështje dhe ka akuzuar se zhvlerësimi i lekut është shkaktuar nga “forcimi i euros” apo nga një “komplot i opozitës”.
Leave a Comment