Fermerët nuk shohin leverdi në mbjelljen e misrit

by on 02/11/09 at 5:03 pm

Çmimet e ulëta të misrit të importit i shtyjnë fermerët t‘i lënë tokat djerrë

Fermerët e zonës së Nënshkodrës japin alarmin se me tonelata grurë dhe misër kanë mbetur nëpër magazina, për shkak të mungesës së tregut të shitjes. Shumë prej fermerëve thonë se vitin e ardhshëm ndoshta nuk do t‘i mbjellin këto kultura, për shkak të mungesës së leverdishmërisë ekonomike.

“Çmimi i misrit të importit është shumë i ulët dhe tonelatat e misrit tonë nuk mjaftojnë as për të paguar sigurimet shoqërore për një të punësuar”, thotë Mark Gjoni, një fermer i zonës. “Vetëm për të paguar sigurimet shoqërore të një të punësuari, për të cilin jam i detyruar, i bie të shes 8 kuintal misër me 25 lekë kilogrami, aq sa është edhe çmimi i misrit në treg”, thotë ai.

“Kjo llogari e bërë është e gabuar, se ne nuk po arrijmë të mbijetojmë kështu, jo më të sigurojmë edhe një punëtor. Kjo politikë që po ndiqet për fermerët nuk po kuptohet. Në këtë situatë ku jemi, nuk kemi asnjë interes të mbjellim”, thotë Gjoni, ndërsa kujton kërcënimin e qeverisë për marrjen e tokës së lënë pa punuar.

Fermerët në Shqipëri kanë mesatarisht një hektar tokë për familje, gjë që e bën të pamundur prodhimin me çmime konkurruese me vendet e tjera fqinje, ku një pjesë e vogël e popullatës jeton me bujqësi dhe rrjedhimisht zotëron ferma më të mëdha dhe me rendiment më të lartë.

Qeveria shqiptare ka kërcënuar se do t‘i konfiskojë tokat që i identifikon si të lëna djerrë, ndërkohë që vetë fermerët thonë se arsyeja e vetme e mospunimit të tokës është mungesa e leverdishmërisë ekonomike. Një hektar tokë mund të prodhojë 50-80 kuintal misër, i cili ka një vlerë të vogël tregtare.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login