Zbulohet plani, deputetët mund t‘i blejnë automjetet
by Andi Bega on 13/10/09 at 5:33 pm
Qeveria pasi ua merr, ua shet me ankand
Mbërrin në Kuvend projektligji “Mbi transportin e funksionarëve të lartë të shtetit”, i cili u heq automjetet deputetëve dhe disa drejtuesve kryesorë të administratës shtetërore. Vendimi i miratuar më 30 shtator nga Këshilli i Ministrave ka si plan reduktimin e shpenzimeve për mirëmbajtjen e automjeteve dhe uljen e numrit të tyre. Pavarësisht asaj çka është thënë në publik nga Kryeministri Sali Berisha, e vërteta është se automjeti i hequr nga përdorimi, mund t‘u kthehet sërish deputetëve ose zyrtarëve të tjerë, duke përdorur procedurën e shitjes me ankand. Vendimi i ri lejon mbajtjen e automjetit vetëm për krerët më të lartë të shtetit (shiko tabelën), kurse për kategoritë e tjera, si deputetë, zv.ministra, kryetarë bashkish etj., do t‘u jepen kuota të diferencuara, për t‘i përdorur tek automjetet e tyre personale.
Ankandi
Nga Ministria e Financave vlerësohet se në rang vendi janë rreth 3500 automjete në shërbim të administratës shtetërore, por numri mund të jetë akoma më i madh për shkak se ka mangësi informacioni. Duke parë koston e lartë të mirëmbajtjes së automjetit, nga servisi, karburanti dhe shoferët, qeveria vendosi të shkurtonte numrin e makinave në përdorim, duke ulur dhe shpenzimet. Megjithatë, Ministria e Financave (e cila ka përgatitur projektvendimin), ka vendosur një nen në ligj, ku u jepet e drejta e parablerjes së automjetit atyre zyrtarëve që do t‘u hiqet nga përdorimi. Plani është që automjetet e hequra nga përdorimi me paratë e shtetit do të mblidhen në magazinat e Rezervës Shtetërore, e më pas do të shiten me ankand. “Të gjitha automjetet e tepërta, në dispozicion të ministrive, institucioneve qendrore dhe të varësisë, do të transferohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për t‘u shitur me ankand, ku e drejta e parablerjes u takon funksionarëve (deputet, kryetar bashkie, kryetar enti, drejtor etj)”, përcakton neni 8.
Kategoritë
Të ndarë në katër kategori, zyrtarët e shtetit do të trajtohen financiarisht në forma të ndryshme, sipas pozicionit. Në kategorinë e parë futen krerët më të lartë të shtetit, si Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Parlamentit, ministrat, krerët e Gjykatës së Lartë, Kushtetuese, Krimet e Rënda, guvernatori, kreu i KLSH-së etj., të cilët kanë të drejtë të mbajnë automjet dhe shofer, me shpenzime nga shteti në një masë të papërcaktuar. Në kategorinë e dytë futen deputetët, zv.ministrat, krerët e bashkive dhe qarqeve, AMF-së, konkurrencës, tatime, dogana, KKRT-së, ERE, ILDKP-së, KQZ-së, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, rektorët dhe dekanët etj., të cilëve u caktohet një përfitim financiar mujor 15 mijë-45 mijë lekë. Sa u takon deputetëve, shuma e përfitimit do të caktohet nga vetë ata, nisur nga zona elektorale që përfaqësojnë. Te kategoria e tretë përfshihen funksionarë të nivelit drejtor i përgjithshëm, titullar institucioni, të cilët përdorin mjetet e institucionit ku punojnë, me paratë e shtetit. Masa e përfitimit financiar do të vendoset nga qeveria sipas pozicionit, por që nuk e kalon 15 mijë lekë në muaj. Te kategoria e katërt përfshihen të gjithë punonjësit e tjerë të ministrive, institucioneve qendrore dhe të varësisë, të cilëve shërbimi i transportit, për të përmbushur detyrat, do t‘u ofrohet nga institucioni përkatës. Përdorimi i mjetit do të kryhet vetëm me urdhër të titullarit, sipas një programi të miratuar prej tij.
Leave a Comment