“Trojka” europiane: Duhet konsensus

by Andi Bega on 13/10/09 at 5:35 pm

“Trojka” europiane: Duhet konsensus

Ambasadorët e KE, Spanjës dhe Suedisë zhvillojnë takime me opozitën dhe mazhorancën

Ambasadorët e akredituar në Tiranë i kanë kërkuar dje zyrtarisht drejtuesve të Partisë Socialiste dhe atyre të mazhorancës që të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar. Kryediplomati i KE-së në vendin tonë, Helmuth Lohan, e dërguara e Mbretërisë së Suedisë, Elisabeth Spam, vend që aktualisht mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, si edhe ambasadori spanjoll Manuel Montobbio, vendi i të cilit do të marrë presidencën e radhës në janar, zhvilluan një takim me kreun socialist Rama. Pas takimit, asnjë prej palëve nuk dha prononcim për mediat, ndërsa burime brenda tij konfirmuan se objekt i kësaj bisede mes tre ambasadorëve dhe kreut socialist ishte protesta e ditës së shtunë, bojkoti i Parlamentit dhe paralajmërimi për të mos hyrë në zgjedhjet e pjesshme lokale. Burimet thanë se kryetari i selisë rozë ka informuar trojkën europiane për qëndrimet më të fundit të selisë rozë, protestën e organizuar dhe vazhdimin e tyre në qytete të tjera të vendit. Njëkohësisht Rama i ka informuar ndërkombëtarët për idenë e mos hyrjes në zgjedhjet e pjesshme lokale, duke sqaruar arsyet përse nuk mund të pranohen. Nga ana tjetër, mësohet se tre ambasadorët kanë dëgjuar me vëmendje qëndrimet e kreut të PS-së dhe kanë kërkuar që të arrihet një zgjidhje për situatën e krijuar. Burimet partiake sqarojnë se të njëjtat ndërmjetësime, ambasadorët i kanë bërë edhe me eksponentët e mazhorancës. Po sipas burimeve, mësohet se nuk është diskutuar në terma konkrete se si mund të arrihet konsensusi por vetëm parimisht. Partia Socialiste ka vendosur në fillim të muajit shtator bojkotin e Parlamentit, pasi nuk pranon standartet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë që zëra të ndryshëm të vendeve europiane kanë bërë thirrje që opozita të rikthehet në Kuvend. E ndërsa vendimi për bojkot shkaktoi një sërë reagimesh të forta brenda në parti, por edhe nga faktorë të tjerë të politikës, selia rozë ka bërë të ditur se do të bojkotojë zgjedhjet e 15 nëntorit. Njëkohësisht, Rama ka kushtëzuar hyrjen në Parlament. Kushtet vërtiten kryesisht te çështja e hetimit të zgjedhjeve. Disa ditë më parë, në emisionin “Top Story” ai u shpreh se nëse mazhoranca u jep kryesimin e komisionit hetimor parlamentar është i gatshëm që të hyjë në Parlament. Kryeministri Berisha u përgjigj se Rama duhet të shkojë në prokurori për të gjitha shqetësimet që ai ka për zgjedhjet. Pas kësaj deklarate, Rama tha se mazhoranca po provokon në mënyrë të ulët opozitën dhe rikonfirmoi vendimin për bojkot. “Ne e duam shumicën në komisionin hetimor parlamentar, për të hapur kutitë dhe jo për të hapur një tjetër hetim parlamentar të dështuar dhe të turpshëm si hetimet e Sali Berishës”, tha ai.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login