Shpenzojmë 35 milionë USD për makinat e zyrtarëve

by on 13/10/09 at 5:31 pm

Çdo vit taksapaguesit shqiptarë paguajnë rreth 36 milionë dollarë për makinat e zyrtarëve dhe shoferët e tyre. Por Ministria e Financave mendon se shifra është më e lartë, pasi nga informacioni i kërkuar tek institucionet, nuk është siguruar materiali i plotë. Nga të dhënat zyrtare mësohet se në inventar kemi 374 automjete dhe 280 shoferë, që u shërbejnë ministrive dhe institucioneve qendrore. Kostoja mesatare e këtij shërbimi është 137710 lekë në muaj. Ndërkohë, për institucionet e varësisë vërehet një numër më i lartë i automjeteve, të rritura çdo vit. Aktualisht janë rreth 3000 mjete transporti për institucionet e varësisë dhe rajonale, pa përfshirë këtu makinat e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Për këto makina, shpenzimet në total janë rreth 28 milionë dollarë, shifër e cila do të ishte shumë më e lartë nëse informacioni do të ishte më i plotë. “Mendohet që shpenzimet në vitin 2008 për mjetet e transportit janë rreth 36 milionë dollarë, shifër e cila zë rreth 10 për qind të shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes”, raporton Ministria e Financave. sipas përllogaritjeve, kostoja mesatare e shpenzimeve për një makinë në muaj varion nga 80 mijë lekë në 150 mijë lekë.

Zbatimi i variantit të ri për trajtimin financiar të zyrtarëve parashikon një efekt rreth 2.3 milionë dollarë, ku parashikohet të përfitojnë 450 persona. Në këtë efekt nuk futen makinat në dispozicion të administratës qendrore dhe të varësisë, pasi ato do të përcaktohen me vendim nga Këshilli i Ministrave.

Si përfundim, kostoja mesatare për përfitues do të jetë 28222 lekë në vit nga 1524144 lekë që ishte më parë, gjithnjë referuar Ministrisë së Financave.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login