Përshpejton zhvlerësimi i lekut ndaj euros

by Andi Bega on 13/10/09 at 5:27 pm

Dje 1 euro kushtoi 137.4 lekë si pasojë e kërkesës së lartë në tregun ndërbankar

Leku shqiptar humbi 0.76 për qind të vlerës kundrejt euros dhe 0.79 për qind kundrejt dollarit, gjatë ditës së djeshme, sipas kursit fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Rënia e lekut dje ishte njëkohësisht e madhe dhe e shpejtë. Euro u kuotua në mesditë në 137.4 lekë sipas fiksit të Bankës së Shqipërisë, nga 136.5 lekë që pati qenë të premten, ndërkohë që tendenca negative vijoi edhe gjatë pasdrekes. Në agjencitë ndërkombëtare të tregtimit valutor, euro shënoi kuotën më të lartë në rreth 138 lekë. Vlera e monedhës shqiptare iu afrua sërish rekordit negativ shumëvjeçar të shënuar gjatë dy ditëve të panikut më 23 dhe 24 shtator. Leku shënoi ditën e shtatë negative radhazi dje, duke dëshmuar për tendencë të përgjithshme nënçmuese.

Shkaqet e rënies

Javën e kaluar euro u shtrenjtua me 2 lekë, lëvizje që sipas bankierëve konsiderohet si “e çmendur”. Sipas ekspertëve të bankave, shkaku kryesor i zhvlerësimit gjatë ditëve të fundit ka qenë kërkesa e lartë për valutë në tregun ndërbankar. Kërkesa për valutë qe parashikuar nga pothuajse të gjithë në rritje me mbarimin e verës dhe rifillimin e aktivitetit të zakonshëm tregtar. Për më tepër, importet e Shqipërisë kanë tendencë rritjeje gjatë muajve të dimrit si pasojë e mbarimit të prodhimeve sezonale bujqësore, si dhe rritjes së konsumit të energjisë elektrike e karburanteve.

Heshtje nga autoritetet

Ndryshe nga ngjarjet e javës së fundit të shtatorit, kur ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe guvernatori i BSH, Ardian Fullani, dolën në mbrojtje të lekut, kësaj here zhvlerësimi po kalon në heshtje. “Kjo që po ndodh nuk ka bazë ekonomike”, deklaroi më 24 shtator guvernatori Fullani, kur euro shënoi kuotën 137.8.

“Zhvillimet në tregun financiar shqiptar janë pozitive. U kapërcyen sulmet e kryera nga segmente të opozitës kundër sistemit bankar. Ditët e fundit ka një intensifikim të spekulimit për të debalancuar kursin e këmbimit. Kjo përpjekje nuk mund të ketë sukses, jo për shkak të aftësisë së qeverisë shqiptare, por për shkak të fondamenteve makroekonomikë. Zhbalancimi nuk reflekton kushtet reale ekonomike të Shqipërisë”, tha ministri i Financave, Ridvan Bode, atëherë.

Shpjegimi i përgjithshëm ishte që kuota 138 lekë për euro qe pasojë e një spekulimi, jo pasojë e vlerës reale të lekut të përcaktuar nga kërkesë-oferta. Deklaratat e Bodes dhe Fullanit e qetësuan situatën në tregun e këmbimit valutor për vetëm një javë.

Fullani takohet me krerët e bankave

Guvernatori i BSH pritet të takohet sot (e martë) me menaxherët e bankave private në vend, për të diskutuar mbi “prirjet e fundit në sistemin bankar, si dhe çështje të përgjegjshmërisë në drejtim, çështje të zhvillimit të veprimtarisë si dhe pritshmëritë për të ardhmen”, – njoftoi zyra e shtypit e Bankës së Shqipërisë. BSH i ka sugjeruar në të shkuarën bankave dhe operatorëve të tjerë ekonomikë të menaxhojnë më mirë operacionet e blerjes/shitjes së valutës, për të mos shkaktuar luhatje të forta në tregun e këmbimit valutor. Disa kompani të huaja realizojnë fitime në rendin e mbi 200 milionë eurove në vit në Shqipëri dhe konvertimi i fitimeve të tyre nga lek në euro mund të shumëfishojë për kohë të gjatë kërkesën për valutë në tregun shqiptar, ku qarkullojnë mesatarisht çdo ditë rreth 20 milionë euro.

Leku ka ruajtur qëndrueshmëri të fortë në kuotimin kundrejt euros që nga viti 2003 deri më 2008, duke njohur edhe mbiçmim gradual. Në shkurt 2009, leku pësoi tronditjen e parë kur kuota referencë ndryshoi nga 123 lekë për euro në 130 lekë. Gjatë verës, kur të gjithë ekspertët e bankave besonin se leku do të forcohej, siç ka ndodhur çdo vit, monedha shqiptare shënoi sërish tendencë dobësimi, por gjithsesi luhatshmëria ishte më e vogël se në pranverë. Zhvlerësimi i lekut u përshpejtua gjatë gjysmës së dytë të shtatorit. Sot një euro kushton 11.9 për qind më shtrenjtë se një vit më parë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login