Memorandum mirëkuptimi me Kanadanë për Portin e Durrësit
by Andi Bega on 13/10/09 at 5:28 pm
Topalli dhe homologu kanadez, Noel Kinsella, flasin për marrëdhëniet ekonomike
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noel Kinsella. Ky memorandum i pari i këtij lloji i nënshkruar, parashikon forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, duke rritur bashkëpunimin mes porteve tregtare të të dyja vendeve, duke forcuar shkëmbimin e ekspertizës dhe duke lehtësuar ndarjen e praktikave më të mira. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që niveli i bashkëpunimit me Kanadanë në fushën ekonomike, ka pasur një dinamikë shumë pozitive dhe se vitet e fundit investimet kanadeze në Shqipëri janë rritur ndjeshëm. Gjatë takimit të dy zyrtarëve të lartë, një pikë e veçantë e bisedës ishte edhe komuniteti shqiptar në Kanada, të cilin Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë të rëndësishëm në lidhjen mes dy vendeve. I ardhur me projekte konkrete në Shqipëri, kryetari Kinsella u ndal në bashkëpunimin mes dy parlamenteve, ndërkohë që një rëndësi të veçantë iu dha edhe projektit të bashkëpunimit në fushën e edukimit, përmes shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe bursave për studentët shqiptarë. Po këto çështje kryetari i Senatit të Kanadasë ka diskutuar edhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi si dhe Kryeministrin Sali Berisha. Presidenti Topi ka kërkuar që Kanadaja të rrisë investimet ekonomike në Shqipëri duke i kujtuar kryetarit të Senatit se tashmë Shqipëria është një vend i stabilizuar dhe investimet e bizneseve kanadeze janë të sigurta.
Leave a Comment