Bilanci tregtar në pikën më të keqe që nga viti 2002
by Andi Bega on 13/10/09 at 5:30 pm
Këtë vit eksportet shqiptare kanë mbuluar vetëm 23.7 për qind të eksporteve
Deficiti tregtar i Shqipërisë shënoi gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti një rritje prej 2.7 përqindësh kundrejt uljes prej 5.1 përqindësh të volumit të tregtisë së jashtme, duke shënuar situatën më të keqe në shumë vite, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara dje nga Instituti i Statistikave. Krahasimi është bërë me periudhën janar-gusht 2008. Mbulimi i importeve me eksporte, këtë vit ra në 23.7 për qind këtë vit, nga 25.6 për qind që ishte vitin e kaluar. Ky është bilanci tregtar më i keq që Shqipëria ka parë që nga viti 2002, kur vendi ynë përjetoi një krizë të tejzgjatur në furnizimin me energji elektrike, gjë që u pasqyrua në të gjithë ekonominë. Këtë vit statistikat flasin për rënie si në eksporte, ashtu edhe në importe, por rënia e importeve nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmirësuar bilancin tregtar të vendit.
“Në gusht 2009, u eksportuan 7,1 miliardë lekë mallra, me ulje 26.1 për qind në krahasim me korrik 2009 dhe ulje me 7.7 për qind në krahasim me gusht 2008″, njoftoi INSTAT.
“U importuan 33,7 miliardë lekë mallra me ulje 8.3 për qind në krahasim me korrik 2009 dhe ulje 5.1 për qind në krahasim me gusht 2008″, vijon më tej njoftimi.
Deficiti tregtar për periudhën janar-gusht qe 207.5 miliardë lekë, (rreth 1.6 miliardë euro), me rritje 2.7 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Shumë nga ekspertët prisnin reduktim të deficitit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë për shkak se ecuria e remitancave dhe hyrjeve valutore nga shërbimet turistike, ecin në të njëjtin drejtim me importet. Rrjedhimisht rënia e të ardhurave nga turizmi dhe nga emigrantët, duhej të shoqërohej edhe me ulje të importeve e të deficitit tretar, gjë që në fakt nuk ndodhi.
Aludimet e BSH
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë marrë në analizë një seri të madhe të dhënash për të kuptuar se për çfarë arsyeje, deficiti tregtar dhe deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë nuk po ulen. Disa kohë më parë, BSH publikoi rezultatet e studimit të vet dhe gjeti se shkaktari indirekt i deficitit të llogarisë korrente ishte deficiti i buxhetit të shtetit.
Për të kuptuar se pse deficiti nuk po zvogëlohet, Banka e Shqipërisë e analizoi situatën sipas teorisë së “deficiteve binjake”, një teori e krijuar në vitin 1980 nga dy ekonomistë amerikanë, të cilët dolën në konkluzionin se deficiti buxhetor i SHBA-ve shkaktonte deficit të llogarisë korrente dhe se në fund, gjithçka përkthehej në zhvlerësim të monedhës.
Banka e Shqipërisë thotë se ka analizuar vendet e BE-së dhe ato të rajonit tonë dhe ka dalë në konkluzionin se teoria ka rezultuar e vërtetë në disa raste dhe e gabuar në disa të tjera. Por sipas saj, në rastin e Shqipërisë, teoria është vërtetuar tërësisht.
“Nga një vështrim krahasues me vendet e rajonit rezulton se thellimi i njëkohshëm i deficitit buxhetor dhe atij të llogarisë korrente, sidomos gjatë dy viteve të fundit, e rendit Shqipërinë përkrah vendeve ku kjo hipotezë gjen mbështetje”, thotë Banka e Shqipërisë në konkluzionet e studimit.
“Vërtetimi i kësaj lidhjeje në periudhën afatgjatë do të kërkonte korrektimin fiskal dhe korrektim të deficitit korrent. Ky i fundit do të kishte implikime mbi ecurinë e kursit të këmbimit në periudhën afatshkurtër”, thotë më tej Banka e Shqipërisë.
“Fajet” e qeverisë
Gjatë këtij viti, buxheti i shtetit pritet të shënojë një deficit prej mbi 580 milionë eurosh, shumica dërrmuese e të cilave do të përdoren për të paguar projektet infrastrukturore si rruga Rrëshen-Kalimash. Shumica dërrmuese e këtyre parave kanë shkuar për importe mallrash dhe shërbimesh, gjë që nënkupton deficit tregtar e deficit të llogarisë korrente. Qeveria nuk denjoi të dëgjonte këshillën e FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë për të reduktuar shpenzimet për shkak të krizës, thirrje që u përsëritën thuajse çdo muaj që nga marsi i këtij viti.
Leave a Comment