Tradita e re, ministrat shkëmbejnë detyrat me ceremoni

by on 18/09/09 at 4:45 pm

Në orët e paradites në të gjitha ministritë janë organizuar aktivitete për ndërrimin e drejtimit

Që nga viti 2005 edhe politika shqiptare ka filluar të vërë në zbatim kulturën europiane që pas mbarimit të një mandati detyra i dorëzohet me ceremoni pasardhësit. Kjo praktikë tashmë e bërë traditë edhe te ne është vënë në zbatim nga ish-ministrat dhe nga ministrat e rinj. Pas ceremonisë së betimit në Presidencë dhe mbledhjes së parë të qeverisë së re, ministrat janë drejtuar për te zyrat e tyre. Me ceremoni zyrtare çdo ish-ministër i ka dorëzuar pasardhësit të tij zyrën, duke e prezantuar para stafit të ministrisë drejtuesin e ri të dekretuar tashmë nga Presidenti i Republikës. Ceremonia më zyrtare e dorëzimit të ministrisë ka qenë ajo në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ish-ministri Gazmend Oketa i ka dorëzuar detyrën ministrit të ri, Arben Imami. Ceremonia filloi me kalimin në revistë para truprojës së nderit dhe nën marshet e Orkestrës Frymore të FA të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhe ish-ministrit Gazmend Oketa. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, ceremonia ka vazhduar me një takim me stafin drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Gazmend Oketa i dorëzoi Ministrit Imami Emblemën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe dosjen e dokumenteve të ministrit të Mbrojtjes. Në përshëndetjen e tij, ministri Oketa, ndër të tjera, u shpreh se kam pasur privilegjin, por edhe kënaqësinë që të jem në detyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe të punoj për më se 18 muaj së bashku me ushtarakët e Forcave tona të Armatosura. Ministri i ri i Mbrojtjes, Arben Imami, shprehu falënderime të veçanta për pritjen dhe ceremoninë e organizuar me këtë rast dhe theksoi se në detyrën që kam marrë si ministër i Mbrojtjes do të jem i përkushtuar dhe do të punojmë së bashku për të çuar më përpara arritjet e shënuar nga Forcat tona të Armatosura gjatë këtyre viteve. Siguria e vendit, tha ai, është një nga themelet e shtetit dhe për këtë si ministër i Mbrojtjes ndihem i obliguar. Nëpërmjet një ceremonie zyrtare dhe para gjithë stafit dhe trupit diplomatik shqiptar i ka dorëzuar Ministrinë e Jashtme edhe ish-ministri Lulzim Basha pasardhësit të tij ministrit të ri të Jashtëm, Ilir Meta, i cili mban edhe postin e zëvendëskryeministrit. Të dy kanë vlerësuar punën e bërë deri më tani nga kjo ministri, duke falënderuar dhe vlerësuar bashkëpunëtorët dhe stafin si Basha ashtu edhe Meta kanë theksuar se misioni për integrimin e vendit do të vazhdojë dhe këto katër vjet pavarësisht ndërrimit të ministrave. Ceremoni të dorëzimit të ministrive ka pasur në të gjitha ministritë e tjera ku ministrat e rinj janë prezantuar para stafit dhe bashkëpunëtorëve nga ish-ministrat. Kjo traditë nuk është ndjekur vetëm në Ministrinë e Financave, e cila drejtohet sërish nga Ridvan Bode, në Ministrinë e Integrimit e cila do të vijojë të drejtohet nga Majlinda Bregu dhe në Ministrinë e Transporteve, e cila gjithashtu do vijojë të drejtohet nga Sokol Olldashi.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login