SHBA: Zgjedhjet, plotësoni detyrat

by on 18/09/09 at 4:43 pm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson raportin e ODIHR-it për zgjedhjet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Në një deklaratë të posaçme të shpërndarë me postën elektronike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë thotë se mirëpret përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve. “Këto fusha shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, konstatohet nga ambasada amerikane. Raporti i ODIHR-it, vijon deklarata, gjithashtu identifikoi mangësi. “U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike. Po ashtu, ODIHR-i nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale”, thuhet në deklaratën e SHBA-së. Qeveria amerikane gjen rastin të nxisë qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë raport dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE-në dhe Bashkimin Europian për t‘u marrë me fushat e shënuara për përmirësim. Dy ditë më parë, Bashkimi Europian vlerësoi se vendi ndodhet në një pozitë më të mirë në rrugën drejt integrimit në organizmat europiane, por edhe se vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duhen lexuar deri në fund. Deklarata erdhi nga ministri i Jashtëm i vendit që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Suedisë, i cili tha se “Shqipëria është në pozitë më të mirë”. “Unë e mbështes Karlin, pas leximit të shpejtë që i bëra raportit, por duhet ta lexoj dhe ta analizoj më mirë”, mbështeti edhe komisioneri europian për zgjerimin, Olli Rehn, deklarimet e kryediplomatit suedez. Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe mbarëvajtja e tyre ishin një kusht i rëndësishëm i vendosur prej Brukselit për Shqipërinë. Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë patën deklaruar para qershorit se fati i aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian do të varej nga standardet e zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë u mbështet edhe qëndrimi për procesin e liberalizimit të regjimit të vizave mes komunitetit europian dhe Shqipërisë. Sakaq, në raportin më të fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e qershorit thuhej se “zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm në lidhje me regjistrimet e votuesve dhe procesin e identifikimit”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login