Qeveria: Nuk ka krizë, nuk e duam bërthamorin
by Andi Bega on 18/09/09 at 4:14 pm
Bullgari
Ministri bullgar i Ekonomisë, Traiko Traikov, përsëriti edhe një herë dje se qeveria e tij nuk ka në plan të financojë ndërtimin e termocentralit bërthamor dhe as nuk e sheh të nevojshëm një investim të tillë, bëri të ditur media vendëse.
“Këtu bëhet fjalë thjesht për financime dhe qeveria përballet me shumë rreziqe, ku rreziku më i madh është pamundësia për ta financuar. Bullgaria nuk do të përballet me krizën energjetike edhe në rast se termocentrali bërthamor nuk ndërtohet, pasi shumë projekte të tjera janë në ndërtim”, tha ai.
Në janar 2008, Bullgaria nënshkroi një kontratë prej 4 miliardë eurosh me industrinë ruse të energjisë bërthamore, “Atomstroiexport”, për të ndërtuar dy reaktorë me 1 mijë MW. Por sipas konsulentëve të projektit, vlera e përgjithshme e investimeve mund të kapërcejë 9 miliardë euro. Vlerësohet se konsumi i energjisë elektrike në Bullgari do të kapërcejë prodhimin rreth vitit 2012, duke zhytur në vështirësi të gjithë Ballkanin. Por sipas Traikov, një situatë e tillë nuk ka pse të vijë.
“Nëse pyetja është a kemi nevojë për një central të dytë bërthamor për konsum të brendshëm, përgjigjja është jo, ne nuk kemi nevojë. Nëse të gjitha projektet e deklaruara do të zbatohen, atëherë do të kemi kapacitet prodhues me tepri”, tha ai. “Ne nuk do të kemi kufizime në furnizim me energji në rast se ne nuk e ndërtojmë termocentralin”.
Qeveria e re e djathtë bullgare, e cila filloi punë pak muaj më parë, beson se paratë e taksapaguesve nuk është mirë të rrezikohen në një projekt të tillë. Megjithëse energjia bërthamore është shumë ekonomike, projekte të tilla masive shumë shpesh kanë pësuar rritje të konsiderueshme kostosh gjatë zbatimit, ndërsa afati i dorëzimit është jashtëzakonisht i vështirë për t‘u përcaktuar.
Leave a Comment