“Nëse Interi fiton Champions-in, të merremi me kinemanë shqiptare”
by Andi Bega on 18/09/09 at 4:41 pm
Kështu ironizojnë gazetat spanjolle trajnerin e zikaltërve, Zhoze Murinjo
Sukseset modeste të kinematografisë shqiptare kthehen në një batutë ironizuese të shtypit spanjoll në drejtim të trajnerit të Interit, Zhoze Murinjo. Gazetat iberike, në mënyrë unanime përshëndetën dje “leksionin e futbollit” që Barcelona i dha Interit të mërkurën në “San Siro”. “El Mundo Deportivo” theksonte se italianët u mbyllën në mbrojtje, ndërsa djemtë e Pepe Guardiolës luajtën një futboll spektakolar, edhe pse u mungoi goli dhe fitorja. “San Siro, pa klasin dhe stilin e kampionit”, titullonte e përditshmja tjetër sportive katalanase “Sport”. Ajo nënvizon se Barça ishte “shumë më superiore se Interi i Murinjos dhe Eto‘osë”. Gazetat spanjolle kritikojnë strategjinë ultradefensive të Interit. “Abc” flet për “katenaçio totale” dhe për gabimet e arbitrit, në veçanti penalltinë e padhënë në minutën 74 për faullin e Stankoviç, që i privoi Barcelonës fitoren. “As” nënvizon “kualitetin spektakolar të kësaj skuadre, të cilën Guardiola e drejton në mënyrë harmonike”. Dhe pastaj shton: “Interi nuk ka Mesi dhe kjo është një diferencë e madhe”. Për gazetën katalanase, “më e keqja e ndeshjes ishte trajneri interist, Zhoze Murinjo, nga i cili pritej një qëndrim më i guximshëm, ngaqë Interi luante në San Siro”. Me portugezin kapet edhe “El Mundo”, në një artikull të titulluar “Vrasësi i futbollit”. “Futbolli, shkruante ajo, është sporti që u jep më shumë suksese atyre që i meritojnë më pak. Mjaft Murinjos, mjaft iluzioneve. Është matematikisht e pamundur, që lojtarë si ata të Interit, të mbuluar nga miliona, të luajnë kaq keq siç bënë të mërkurën. Për më tepër, shkruan gazeta, ata i drejton një person, që pretendon se është një strateg i pagabueshëm dhe, i cili është i aftë të thotë se mund të kontrollojnë ndeshjen pa top”. Pikërisht këtu vjen edhe ironia e “El Mundo”-s, sipas së cilës: “Nëse Interi do të fitojë Champions, do të jetë më mirë ta harrojmë futbollin dhe t‘i dedikohemi shqyrtimit të sukseseve të kinematografisë shqiptare”.
Por çudia vazhdon. Duhej shpjeguar ajo lojë e mërzitshme e zikaltërve në 90 minuta, duhej justifikuar mungesa e rasteve për gol, që kur luan në shtëpi janë gjithmonë një sinjal i keq. Duhej mbuluar ai 66% i zotërimit të topit kundër 34% të Interit, shifra që diktojnë superioritetin e katalanasve. Prandaj Murinjo ka nxjerrë nga “arkivi” teori nga të tijat: “E pranoj, Barcelona ka kontrolluar lojën, por Interi im në mënyrën e tij ka pasur kontrollin e lojës pa top, që është një meritë e pamohueshme”. “Kontrolli i lojës pa top”, një tjetër perlë e Murinjos, që duket se nuk do të jetë e fundit. “Nuk duhet t‘jua shpjegoj ju italianëve çfarë është kontrolli i lojës pa top, ju e keni shpikur këtë art. Nëse Santon do të kishte shënuar, mund të kishim fituar. Ndoshta nuk do ta meritonim, por do të kishim fituar. Dhe ju italianët, që jeni mjeshtër të cinizmit taktik, tani kritikoni Interin se nuk ka luajtur mirë. Ndërsa unë u bëj komplimente lojtarëve të mi, që kanë luftuar dhe kanë vuajtur kundër një kundërshtari që luan symbyllazi, sepse ka njerëz që kanë punuar prej vitesh bashkë”, përfundon trajneri i zikaltërve
Leave a Comment