Kukësi, qyteti më optimist për jetën dhe standardin ekonomik

by on 18/09/09 at 4:19 pm

Sondazhi i USAID për 2009: Ndikim, rruga Durrës-Morinë

Në bazë të një sondazhi të zhvilluar nga Programi i USAID për Qeverisjen Vendore (LGPA), në dhjetë bashki të përzgjedhura, rezulton se banorët e Kukësit jetojnë në një standard jetese më të mirë, se një vit më parë. Pothuajse në të gjithë pyetësorët, banorët e kësaj zone veriore kanë shprehur optimizmin për një përmirësim të jetesës dhe zhvillim më të mirë ekonomik. Në sondazhin e dhjetë bashkive u pyetën 4800 persona, ku në thelb ishte puna e bërë nga bashkitë, prioritetet dhe problemet që i shqetësojnë më tepër. LGPA bën çdo vit sondazhe, duke përzgjedhur ato bashki me të cilat ka një program asistence teknike. Sondazhi i fundit për vitin 2009, u publikua dje, gjatë zhvillimit të konferencës “Praktikat më të mira të qeverisjes vendore”. Përfundimi del se njësitë vendore nën mbështetjen e USAID kanë treguar përmirësim të qeverisjes, në raport me 10 bashkitë që nuk janë pjesë e programit. Në tërësi, banorët e këtyre bashkive janë shprehur se shqetësimin më të madh e përbën papunësia, ndërsa kanë një perceptim se ekonomia e qytetit të tyre është në rënie ose nuk po ndryshon. Kukësi shfaq përqindjen më të lartë të banorëve që deklaruan se standardi i tyre i jetës është përmirësuar. Afro 55 për qind e 4800 të intervistuarve janë të kënaqur me shërbimet e administratës lokale. Dhjetë bashkitë që kanë marrë pjesë në sondazhin e organizuar nga USAID për vitin 2009, janë Kukësi, Shkodra, Lezha, Fushë-Kruja, Gramshi, Librazhdi, Korça, Pogradeci, Fieri dhe Himara. Këto bashki janë pjesë e programit të qeverisjes vendore, financuar nga USAID-i. Në kuadër të këtij sondazhi, po dje në Tiranë, afro 26 njësi vendore morën pjesë në një panair, ku nga tendat e tyre paraqitën aftësinë e tyre për të qeverisur. Autorët e anketës mendojnë se marzhi i gabimit nuk është më shumë se 3 për qind.

Cilësia e jetës

Pjesa më e madhe e të intervistuarve mendojnë se cilësia e jetës së tyre është përmirësuar. Përqindja më e lartë e banorëve të kënaqur me cilësinë e jetës gjendet në Kukës (85.8 për qind), ndërsa paraqitja më e ulët në Gramsh (66 për qind). Përveç Librazhdit, pothuajse në të gjitha bashkitë e përzgjedhura, më shumë se gjysma e banorëve deklarojnë se cilësia e jetesës është “përmirësuar shumë”. Edhe në këtë pikë, qyteti i Kukësit ka nivel më të lartë (72 për qind), por edhe në qytetet e tjera, si Shkodra apo Pogradeci.

Papunësia

Ajo që i shqetëson më tepër banorët e 10 bashkive të përfshira në sondazh është papunësia. Fenomeni negativ haset më tepër në Gramsh (72 për qind) dhe Librazhd (63 për qind). Në Himarë, vetëm 10 për qind e të pyeturve e shikojnë si problem. Problemet ekonomike është çështja e dytë që i shqetëson më tepër të intervistuarit. Për shkodranët, kjo çështje shikohet me prioritet, ndërsa në të gjitha bashkitë vlerësohet mjaft shqetësuese. Sa i takon fenomenit të papunësisë, vetëm 35 për qind e banorëve që jetojnë në Kukës, e shikojnë problem. Ky nivel është më i ulëti, pasi në bashkitë e tjera, përqindja e të anketuarve arrin deri 50-73 për qind.

Shërbimi

Edhe në këtë pikë, banorët e Kukësit (83 për qind) vazhdojnë të shfaqin nivele të larta vlerësimi për mirëmbajtjen e rrugëve, brenda kufirit të bashkisë. Pas tyre janë banorët e Shkodrës, ku 72 për qind janë të kënaqur nga shërbimi i mirëmbajtjes së rrugëve. Bashkia me përqindjen më të ulët të banorëve të kënaqur nga ky shërbim (34 për qind) është Librazhdi, i ndjekur nga Lezha (42 për qind). Sa i takon indeksit “shërbimi në kohën e duhur”, sërish Kukësi zë vendi e parë, pasi 80 për qind, e të anketuarve mendojnë pozitivisht. Pas tyre renditet Gramshi (77 për qind) dhe Fushë-Kruja (69 për qind).

Rritja ekonomike

Pjesa më e madhe e të pyeturve në të gjitha bashkitë e perceptojnë ekonominë e qytetit të tyre jo pozivisht. Të paktën gjyma mendon se ekonomia nuk ka ndryshuar. Sondazhi i USAID vë në dukje se qyteti i Kukësit duket se i ka vënë në rregull çështjet kryesore, kjo pasi edhe në pikët më kryesore të anketës “rritja ekonomike”, banorët e kësaj bashkie, rreth 33.5 për qind (niveli më i lartë), mendojnë se ekonomia e tyre po rritet. Autorët e sondazhit mendojnë se, “një shpjegim i mundshëm për këtë mund të jetë përqendrimi i investimeve në zonën e lidhur me ndërtimin e autostradës, Durrës-Kukës. Këto investime mund të kenë nxitur aktivitetin ekonomik dhe ulur përqindjen e papunësisë në bashki”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login