Aeroporti fiton 7.6 milionë euro

by on 18/09/09 at 4:21 pm

Kompania që pritet të privatizohet brenda pak muajve, rrit xhiron pavarësisht krizës

Mbi 7.6 milionë euro janë fitimet neto të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës deri në fund të muajit gusht, ndërkohë që parashikimet ishin që gjatë gjithë vitit 2009 të fitohej një shumë prej 7.4 milionë eurosh neto. Parashikimet u tejkaluan edhe për numrin e udhëtarëve dhe fluturimeve.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka thyer çdo parashikim në realizimin e të hyrave dhe fitimeve, duke arritur dhe tejkaluar planin vjetor që në muajin gusht, katër muaj pa përfunduar viti.

Deri në fund të këtij muaji janë realizuar plot 7.6 milionë euro fitim neto, nga 7.4 që ishin parashikuar me projeksionet e fillimvitit dhe gjatë rishikimit të buxhetit në qershor të këtij viti për tërë vitin 2009. Gjatë vitit 2008, fitimet vjetore ishin në shumën rreth 7 milionë euro.

Pavarësisht suksesit financiar të kësaj kompanie, ndërkombëtarët dhe qeveria e Kosovës kanë vendosur të japin me koncesion aeroportin, në këmbim të ndërtimit me fonde private të një terminali të ri për pasagjerët. Por ekspertët në Prishtinë nuk shohin logjikë në këtë privatizim, për shkak se me nivel të tillë fitimesh aeroporti i ka të gjitha mundësitë ta financojë vetë ndërtimin e terminalit të ri.

Investitorët privatë do ta menaxhojnë aeroportin për interes të tyre në njëzet vitet e ardhshme, por do të kenë detyrimin të ndërtojnë një terminal, një kullë të re kontrolli, një hangar dhe një zonë parkingu për avionët. Investimi i kërkuar për këto punime vlerësohet në rreth 100 milionë euro, ndërkohë që koncesionmarrësi pritet të realizojë të ardhura prej rreth 400 milionë eurosh në dy dekadat e ardhshme.

“Janë thyer të gjitha parashikimet për fitimet e mundshme të cilat ishin paraparë në fillim të vitit 2009 dhe me rishikimin e buxhetit në qershor të këtij viti. Realisht, planin vjetor e kemi realizuar që tani, ndërkohë që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 4 muaj. Shpresojmë që deri në fund të vitit të kemi një fitim neto së paku prej 10 milionë eurosh”, tha Altin Ahmeti, koordinator për marrëdhënie me jashtë i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas tij, qarkullimi i parave gjatë kësaj periudhe në kompani ka qenë rreth 18.5 milionë euro. Gjithashtu, rritje ka shënuar edhe numri i udhëtarëve dhe fluturimeve. Në rang vjetor, duke krahasuar me vitin 2008, numri i udhëtarëve është rritur mbi 5 për qind, ndërsa numri i fluturimeve për 17 për qind.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login