Vritet në atentat ish-agjenti i krimeve në Elbasan, Roland Rexhepi “DODA”

by Andi Bega on 22/07/09 at 3:16 pm

ELBASAN – Një atentat mafioz i është bërë sot, ish-agjentit të policisë së Elbasanit, Roland Rexhepi. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi dy breshëri kallashnikovi janë shkrehur mbi të sot në mëngjes.

Ka qenë ora 08:00 e mëngjesit kur 36 vjeçari ka dalë nga shtëpia në lagjen ‘Vullnetati’ dhe është drejtuar për tek parkingu i makinës. Në këtë moment një motor me dy persona me maska dhe të armatosur i ka dalë përpara duke qëlluar pa pushim për 5-6 minuta. Ngjarja e rëndë është parë nga shumë banorë dhe për më keq nga nëna e tij që banonte në pallatin përballë.

Viktima është transportuar në spital por siç thonë mjekët nuk ka patur shenja jete, pasi ka marrë plagë të shumta në të gjithë trupin.

Roland Rexhepi, 36 vjeç ka punuar për disa vite si asgjent i antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. Ai ka qenë në këtë funksion edhe në kohën e Komandat Kosenit. Ndërkohë prej pak vitesh ai nuk ishte më në radhët e policisë por punonte si përgjegjës i rojeve private të stadiumit “Ruzhdi Bezhuda” të qytetit të Elbasanit.

Aktualisht në vendngjarje gjendet kryeprokurori i Elbasanit, Elvin Gogaj dhe Drejtori i Policisë së qarkut, Aleks Hajdari që po drejtojnë hetimet. Policia ka shtuar postoblloqet dhe kontrollet nëpër akset rrugore si dhe ka marrë në Komisariat shumë dëshmitarë okularë, pasi në orarin kur ai agjenti është qëlluar ka patur mjaft lëvizje në qytet.

Nga të dhënat e para mësojnë se janë disa pista hetimi, por kryesorja është ajo e hakmarrjes për shkak të detyrës, pasi Rexhepi ka punuar në polici edhe në kohët e vështira për Elbasanit, kur policia drejtohet nga Koseni.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login