Statusi i kandidatit, Brukseli kushtëzon shqyrtimin me zgjedhjet

by on 28/07/09 at 8:08 pm

Bashkimi Europian pranoi dje në Bruksel aplikimin e Islandës për anëtarësim, ndërsa zvarritja e procesit zgjedhor ka bërë që shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë të shtyhet. Këshilli i Ministrave të Jashtëm europianë i kërkoi komisionit që të përgatisë opinionin mbi aplikimin e Islandës për statusin kandidat. Vendi nordik aplikoi 4 ditë më parë, ndërsa Shqipëria e paraqiti kërkesën e saj për statusin kandidat 3 muaj më parë. “Unë shpresoj që të ecim përpara me të gjitha çështjet për zgjerimin, që kemi në tavolinë. Për Islandën nuk kemi të bëjmë me rrugë më të shpejtë, por me një rrugë më të shkurtër, pasi ata janë tashmë pjesë e tregut unik dhe e zonës “Shengen”. Ne do t‘i hedhim hapat një nga një. Siç e dini, kemi dhe aplikimin e Shqipërisë, me të cilin nuk kemi mbërritur ende aty ku duhet”, ka deklaruar ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt. Në deklaratën përfundimtare, ministrat e Jashtëm evropianë shprehen se BE do t‘i kthehet shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim të Shqipërisë, pasi të ketë përfunduar procesi i zgjedhjeve në vend. “I nisëm gjithashtu mesazh të qartë Shqipërisë, se aplikimi i saj do të shqyrtohet sapo të jetë kompletuar procesi zgjedhor në atë vend dhe ne sot mirëpritëm sërish perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Cecilia Malmstrom, ministrja suedeze për Çështjet Europiane. Islanda parashikohet të shënojë anëtarësimin më të shpejtë në historikun e zgjerimit të BE-së. Opinioni i komisionit pritet të mbyllet brenda këtij viti dhe në fillim të 2010-ës mendohet çelja e negociatave për anëtarësim. Sipas presidencës suedeze të BE-së, Islanda jo vetëm i ka plotësuar kriteret ekonomike e politike të Kopenhagenit, por dhe i ka tejkaluar ato. Negociatat për anëtarësimin e Islandës do të fokusohen në politikat e peshkimit, i vetmi problem që paraqet ky vend nordik ndaj disa shteteve europiane për shkak të konkurrencës. Po dje, e përditshmja “Financial Times” botoi një artikull me titull “BE-së i kërkohet të mbështesë dëshirën për anëtarësim të Ballkanit, ose të rrezikojë mungesën e stabilitetit”. Në artikullin e bazuar në një intervistë të gazetës me Carl Bildt, ministrin e Jashtëm të Suedisë, vendit që ka presidencën e radhës të BE-së, rreshtohen rreziqet me të cilat përballet vetë BE-ja, por dhe rajoni, nga shuarja e mundshme e shpresave për anëtarësimin në bllok të vendeve të Ballkanit. “BE rrezikon të humbasë kredibilitetin dhe të kontribuojë në destabilizimin politik të Ballkanit, nëse nuk i afron shtetet e Ballkanit më pranë objektivit të tyre të anëtarësimit në BE”, shkruan gazeta, duke cituar zotin Bildt. Më tej ajo thekson se Bildt ka paralajmëruar që nacionalistët në rajon mund të fuqizohen në dëm të forcave politike pro-europiane në disa shtete të ish-Jugosllavisë. Bildt ka përmendur rastin e Serbisë, “vendit më të fuqishëm të rajonit”, ku forcat pro-europiane kanë korrur sukses që nga rizgjedhja e z.Tadiç në postin e Presidentit në shkurt 2008.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login