Shkodër, asgjësohen 2800 rrënjë kanabis sativa

by on 14/07/09 at 2:25 pm

Asgjësohen 2800 rrënjë kanabis sativa në Komunën Guri i Zi në Qarkun e Shkodrës. Aksioni i organizuar nga drejtoria e këtij qarku ka nisur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Puna është përqendruar në zonat malore, të njohura si problematike ndër vite në kultivimin e kanabisit. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se operacioni ka nisur në orën katër të mëngjesit dhe në të kanë qenë të angazhuar 80 forca policie të antidrogës, të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe FNSH-së. Mësohet se në aksion janë përfshirë edhe 8 automjete e dy mjete lundruese të policisë. Pas identifikimit të parcelave me bimën narkotike, policia ka nisur asgjësimin dhe më pas djegien e saj. Burimet zyrtare konfirmojnë se operacioni është mbyllur me asgjësimin e 2800 rrënjëve lëndë narkotike, që dyshohet të jetë kanabis sativa, ndërkohë që mostra të kësaj bime janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorin kriminalistik. Sipas policisë, e gjithë bima narkotike ka qenë e kultivuar në një terren malor të shpyllëzuar, në toka pa pronarë të ligjshëm, gjë që vështirëson kapjen e kultivuesve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Pronat ku është asgjësuar lënda narkotike është një zonë ku nuk mund të shkohet në rrugë automobilistike dhe janë përdorur skafet e policisë, të cilave u është dashur të kalojnë nëpër liqenin e Vaut të Dejës. Zona të tilla shfrytëzohen nga kultivuesit për t‘iu shmangur vëmendjes së policisë. Gjatë ditëve të fundit, Policia e Shkodrës ka bërë të mundur asgjësimin e mbi 6 mijë rrënjëve kanabis sativa në zonat e njohura si kultivuese të drogës. Qarku i Shkodrës vazhdon të mbetet një ndër zonat më problematike në Shqipëri për rastet e shumta të prodhimit të lëndëve narkotike.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login