Rikthehet bruceloza, banorët të shqetësuar
by Andi Bega on 14/07/09 at 1:27 pm
DIBëR/ Sëmuren bagëtitë, rrezik infektimi për zonën
Rikthehet sëmundja e brucelozës te bagëtitë e imta, duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve të dy fshatrave në Qarkun e Dibrës. Në fshatrat Homesh dhe Okshatinë të Komunës Shupenzë në rrethin e Bulqizës, bruceloza ka prekur rreth 30 krerë dele, duke u bërë kështu burim infektimi për njerëzit. Shkak për zbulimin e sëmundjes janë bërë persona të këtyre fshatrave të cilët janë diagnostikuar në spitalin infektiv të Peshkopisë. Burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik Dibër, bëjnë me dije se deri më tani kanë rezultuar 7 persona nga fshati Homesh të prekur nga bruceloza, aktualisht të shtruar në spitalin e Peshkopisë. Bardhyl Brata, një nga mjekët veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë për rrethin, që mbulon zonën e Shupenzës, thotë për “Shqip”, se nga ekzaminimet e bëra gjatë këtyre ditëve, kanë rezultuar të prekura nga sëmundja ngjitëse e brucelozës rreth 30 krerë dele. Për të gjitha këto raste është bërë eliminimi i krerëve të prekura, ku fermerët janë dëmshpërblyer për dëmin e shkaktuar. Fakti që kjo sëmundje është e transmetueshme nga bagëtitë te njerëzit nëpërmjet produkteve të mishit dhe qumështit, ka shkaktuar panik te banorët e këtyre fshatrave dhe gjithë zonës përreth. Burime nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Bulqizë, saktësojnë se bruceloza në këtë rreth, është shfaqur që para tri viteve, ku fshati më i prekur ka qenë Valikardha në Komunën e Zerqanit, ku dhjetëra banorë të këtij fshati u shtruan për mjekim në spitalin infektiv në Tiranë. Kjo ka bërë që Valikardha të shpallet fshat në karantinë, ku prej tre vitesh bëhen vaksina kundër brucelozës te bagëtitë e imta. Por, përveç këtij fshati edhe në fshatra të tjerë të rrethit, thonë specialistët veterinerë, ka pasur raste sporadike të shfaqjes së sëmundjes. Ndërkohë, numri i pacientëve të prekur rrezikon të shtohet, gjë që ka vënë në panik banorët. Gjithsesi, rrethi i Bulqizës, mbetet i dyshuar për infeksionin e brucelozës, ndaj specialistët kërkojnë fonde për të bërë gjurmimin e infeksionit jo vetëm në këto dy fshatra, por në të gjithë fshatrat e këtij rrethi.
Leave a Comment