Reformat, Berisha i shtrin dorën Ramës

by Andi Bega on 18/07/09 at 5:55 pm

Me nisjen e një tjetër faze të shqyrtimit të ankimimeve për procesin zgjedhor, kreu socialist, Edi Rama, konfirmoi se nuk do të tërhiqet për asnjë moment nga qëndrimi i tij për të zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit. Në një komunikim me mediat, Rama uroi që Kolegji Zgjedhor të mos shkelë ligjin siç bëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Urojmë që Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja me ligjin e me të drejtën tonë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit e mbështetësit tanë se ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s‘ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, po me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht si voton qytetari”, tha Rama. Nga ana tjetër, kryesocialisti deklaroi se vazhdon maskarada e KQZ-së, vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve, vazhdon farsa e Kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, që rrit taksa e inauguron rrugë të pambuluara me financime duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derë dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri është përditë e më dramatike. Nisur nga kjo, ai shprehu bindjen në angazhimin deri në fund për të konsumuar hallkat ligjore të një procesi tërësisht të degjeneruar pavarësisht abuzimit të skajshëm të KQZ-së me ligjin zgjedhor. Sipas tij, PS do të vijojë të kërkojë të drejtën e saj të padiskutueshme për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër. Ndërkohë, procesi zgjedhor ka kaluar në fazën e dytë të shqyrtimit, në Kolegjin Zgjedhor. Partia Socialiste ka deklaruar se do të ankimojë në këtë kolegj vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e ndryshuar tabelën përfundimtare të qarkut, pavarësisht kërkesave për rinumërim dhe rivlerësim të votave në këto qarqe. Kërkesat ankimore për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën u rrëzuan me shumicë votash në KQZ, ndërsa Partia Socialiste reagoi duke vijuar me procedurat ligjore përmes ankimimit në Kolegj. Gjatë fazës së shqyrtimit të ankimimeve në KQZ, Partia Socialiste akuzoi disa herë katër anëtarët e shumicës për vendime partiake, ndërsa pas vendimit për Qarkun e Beratit bëri me dije se do të padiste katër anëtarët, Ristani, Shtjefni, Zguri dhe Osmanaj për shkak se votimi i tyre binte ndesh me ligjin. Qarku i Fierit deri në marrjen e vendimit për hapjen e kutive ka shkaktuar mjaft debate dhe pas numërimit u vërtetua pretendimi i selisë rozë se mandati i nëntë, i papërcaktuar ende i takonte kandidatit të kësaj partie.

Reformat, Berisha: Do bashkëpunoj me Ramën

“Ai është lider i mundësive të humbura. Kishte një shans të telefononte, por s‘e bëri”

Kryeministri Sali Berisha i shtrin dorën opozitës për përmbushjen e reformave. “Siguroj grupin parlamentar të PS-së se unë do t‘i shtrij dorën që të bashkëpunoj në interesin e vendit. Por kam bindjen e thellë se pavarësisht nga momenti dhe tronditja e natyrshme që ka humbja dhe mossuksesi në zgjedhje, koha tjetër do të jetë një kohë bashkëpunimi dhe prania e LSI është një dëshmi apo një faktor tjetër i rëndësishëm në kuadrin e një klime të re bashkëpunimi”, tha Berisha. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë paralajmëron se do të bashkëpunojë me forcën më të madhe opozitare, e cila do të ketë në Kuvend 3 deputetë më pak se Partia Demokratike, pa përfshirë aleatët që janë në koalicion me këto forca. “Bëra koalicion me Metën dhe jo me Ramën, jo për inat, por nuk mund ta lija vendin pa opozitë, se vendi mbetej me katër veta në opozitë nëse do kisha vepruar ndryshe. Kemi një mazhorancë funksionuese dhe një opozitë të konsoliduar. Kjo është politika. Politika është arti i të mundshmes, është marrëveshje”, tha Berisha. Kryeministri premtoi se do i shtrijë dorën të majtës për të realizuar reformat që do ta çojnë vendin drejt liberalizimit të vizave. Një sërë ligjesh në Kuvend kërkojnë një numër më të madh se ai që ka mazhoranca aktuale dhe për këtë, kreu i qeverisë Berisha paralajmëroi sinjalin e bashkëpunimit me opozitën, të cilin ai e cilësoi si të fortë. “Koalicioni i imponuar i sovranit është shumë më i dobishëm për vendin. Nëse nuk do ekzistonte LSI, do i shtrija dorën PS, që të formojmë një koalicion për ta çuar vendin drejt BE-së. Nuk voton kurrë sovrani për inatet e politikanëve. Ai jep verdiktet e tij dhe ti je i detyruar ta lexosh pa inate atë dhe të faktosh që i nënshkruhet pushtetit e vullnetit të sovranit”, shtoi Berisha. Kryeministri hodhi gjithashtu edhe teoremën e tij se çfarë do të bënte nëse partia e tij do të dilte e dyta në vend. “Sikur PD të ishte e dyta në zgjedhje, kisha vetëm një rrugë, do dorëhiqesha dhe do të krijoja koalicionin me një Kryeministër socialist”, tha Berisha, duke theksuar se ka një maturitet demokratik ndryshe nga çfarë thuhet në opinionin publik. Kreu i qeverisë nuk nguroi të lëshonte edhe batuta ndaj situatës në të cilën është përfshirë kampi socialist. “Më duhet të them se zoti Rama do mbetet në historinë e këtij vendi si politikani i shanseve të humbura personale. Kishte një shans të telefononte, por atë nuk e bëri. Për të tjerat ju garantoj se ai nuk është axhenda e Sali Berishës”, tha ai.

Kabineti i ri do të ketë të njëjtin numër dikasteresh që ka qeveria aktuale. Qeveria e re do të përbëhet nga 14 ministra dhe nuk do të krijohet në variantin e saj optimal jo përpara datës 10 shtator. Sipas Kryeministrit Berisha, Parlamenti i ri nuk do të mblidhet përpara datës 4 shtator dhe buxhetin e ri të vendit do ta hartojë qeveria aktuale, ndërkohë që qeveria e ardhshme do të ketë mundësi vetëm ta shqyrtojë atë. “PD dhe LSI kanë rënë dakord që të nisin negociatat për qeverinë e re në afatin e përcaktimit të Kushtetutës dhe unë këtu dua të falënderoj shumë për mirëkuptimin që gjeta te Meta dhe përgjegjësinë”, tha Berisha, duke shtuar se kjo është dëshmi që dy forca politike bashkohen për parime dhe jo për karrige. Për sa i takon bashkëpunimit me PBDNJ-në, Berisha theksoi se “në politikë nuk thuhet asnjëherë ‘kurrë mos thuaj kurrë‘” dhe së dyti kujtoi paralajmërimin që i bëri kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, kur u nda nga koalicioni i djathtë, duke i thënë “Kujdes Vangjel”. Në projektet e ardhshme të Parlamentit, Kryeministri Berisha u tregua i vendosur për të mos hequr moratoriumin e skafeve.

Për KQZ

“PD u lëndua nga

mandati i Fierit”

Kreu i PD-së, njëkohësisht Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ripërsëriti qëndrimin e tij se do të njohë dhe respektojë verdiktin e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit. “Për sa i përket KQZ, unë nuk kam bërë asnjë koment dhe mendoj se kam vepruar drejt, ndonëse përfaqësuesit e mi në KQZ kanë bindjen më absolute se mandati i Fierit iu dha PS, duke konsideruar të vlefshme dy kutitë e Libovshit, numërimi i të cilave është bërë jashtë kamerave dhe pa praninë e koalicionit Aleanca për Ndryshim dhe një kuti e tretë është gjetur me fletë që nuk plotësonin kushtet kryesore”, tha Berisha. Ai shtoi se “unë nuk kam sulmuar KQZ-në dhe nuk do të sulmoj Kolegjin Zgjedhor”. Kreu i demokratëve bëri me dije se “po të flasim me fakte, pjesë e lënduar jemi ne me mandatin e Fierit”. Kreu i qeverisë theksoi se “nga 410 ankesa në 2005-ën, janë gjithsej të depozituara 30 ankesa në KQZ”.

Negociatat

Qeveria krijohet

vetëm në 10 shtator

Nëse LSI nuk do të ekzistonte, do të bashkëpunoja me PS-në për ndërtimin e qeverisë dhe nuk do ta çoja vendin sërish në zgjedhje. Kjo ishte teorema me të cilën kreu i PD-së mbrojti tezën e bashkëpunimit PD-LSI, duke kujtuar se këtë bashkëpunim do t‘ia ofronte edhe partisë më të madhe opozitare, nëse LSI s‘do të plotësonte numrat për mazhorancën. “Nëse s‘do ekzistonte LSI, do ia shtrija dorën PS-së, që të formonim një koalicion për të çuar vendin drejt BE-së”, tha ai. Berisha theksoi se është i kënaqur me Kodin Elektoral, sepse ishte konsensual mes partive, por theksoi se “u përjashtua forca e tretë e vendit nga komisionet, por unë isha i detyruar ta ndiqja konsensusin më të mundshëm”. Sipas Berishës, PD dhe LSI kanë rënë dakord që të nisin negociatat për qeverinë e re në aftin e përcaktimit të Kushtetutës. “Qeveria nuk mund të krijohet në variantin më optimal përpara datës 10 shtator dhe Parlamenti nuk mund të mblidhet para datës 4 shtator”, tha ai.

Berisha shprehu besimin se qeveria do të jetë eficente dhe se PD dhe LSI ndajnë të njëjtat pikëpamje. “Procesi i integrimit është harta e rrugës”, tha ai.

Batutat

Berisha-Dules: Të

thashë, kujdes Vangjel!

Demokratët zbardhin negociatat me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kryeministri Berisha bëri me dije dje se PBDNJ është ftuar të bëhet pjesë e koalicionit të ri. “Ne jemi të hapur për koalicion. Edhe PBDNJ është ftuar në koalicion”, tha ai. Kreu i qeverisë nuk rezervoi as batutat për ish-bashkëpunëtorin me të cilin qeverisi për katër vjet, duke i përcjellë kryetarit të PBDNJ-së dy mesazhe. I pari ishte se në politikë “never say never” dhe për mesazhin e dytë, Kryeministri u përpoq të shkëpusë gjithashtu edhe një frazë nga “Përrallë nga e kaluara”, duke i kujtuar kohën kur Vangjel Dule u nda me Partinë Demokratike për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste. “Së dyti unë i dola borxhit, se kur u ndamë i thashë: Vangjel kujdes”. Berisha theksoi gjithashtu se qeveria e ardhme do të jetë një koalicion, por përjashtoi plotësisht shtimin e kabineteve. “Nuk mund të shtoj unë kabinetet dhe nuk pranoj një praktikë të tillë dhe do ta lehtësoj edhe më tej peshën e administratës mbi supet e taksapaguesve”, tha ai.

Për PS

Nuk do të ndërhyj

në axhendën e PS-së

“Nuk kam ndërhyrë dhe s‘do ndërhyj kurrë në sovranitetin e forcave politike. Jam i detyruar të respektoj vendimet e saj”. Ky ishte mesazhi që kreu i PD-së përcolli për kampin socialist, i cili doli i dyti pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Rama nuk është pjesë e axhendës sime. Është kryetari i minorancës së Bashkisë së Tiranës, sepse koalicioni im është multidimensional”, tha Berisha. Ai shtoi se “unë kam qëndruar dorëjashtë në të gjitha problematikat e brendshme të forcave politike, qoftë aleate dhe qoftë kundërshtare. E vërteta është se kam bashkëpunuar me të dhe jam treguar vlerësues për bashkëpunimin. Rama më ka sulmuar personalisht, kurse unë nuk u mora as me të dhe as me familjen e tij”. Për bashkëpunimin me Metën, Berisha u shpreh se nuk e bëri këtë veprim për inat të Ramës. “Bëra koalicion me Metën dhe jo me Ramën, jo për inat, por s‘mund ta lija vendin pa opozitë, se vendi mbetej me katër veta në opozitë. Kemi një mazhorancë funksionuese dhe një opozitë të konsoliduar. Kjo është politika”, tha ai.

Skafe

Qeveria lë në

fuqi moratoriumin

Qeveria “Berisha 2″ do të vazhdojë në të njëjtat gjurmë si qeveria “Berisha 1″. Ndonëse në muajin shtator skadon afati për moratoriumin e skafeve, kreu i qeverisë bëri me dije se nuk do të sakrifikojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve për lëvizjen e lirë të disa skafeve në bregdetin shqiptar. Kryeministri Berisha u shpreh qartë se nuk do të rrëzojë apo shfuqizojë ligjin për moratoriumin e skafeve, duke lënë “të varfër” sërish turizmin në bregdetin shqiptar. “Moratoriumi është në fuqi gjersa Parlamenti nuk e ka anuluar atë. Kjo s‘ka asnjë ekuivok dhe nuk do të punojmë ne kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve për lëvizjen e lirë të 20-30 skafeve”, tha Berisha. Edhe për vitet e tjera, skafet dhe mjetet motorike lundruese nuk do të kenë mundësi të lundrojnë në bregdetin shqiptar.

Premtimi

Liberalizimi i vizave

brenda vitit 2010

“Vizat do të liberalizohen në vitin e parë të mandatit tonë të dytë”, tha Berisha. Sipas tij, “shqiptarët në këto zgjedhje votuan për të ardhmen e tyre, votuan projektin e Shqipërisë europiane, me të cilin ata do të gëzojnë standarde, kritere dhe praktika të vendeve anëtare të BE-së. Pra votuan për të përgatitur vendin për verdiktin final të BE-së, votuan për lëvizjen e lirë të tyre”. Kreu i qeverisë theksoi se brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të liberalizohen vizat.

“Zgjedhjet përcaktuan edhe një koalicion thellësisht të dobishëm për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, i cili ka të gjithë potencialin e madh politik, profesional, teknik për të shndërruar në realitet me shpejtësi projektin e Shqipërisë europiane”, tha ai. Sipas tij, “qytetarët në 28 qershor nuk votuan për të ndëshkuar njeri, por për ta filluar dhe shndërruar në realitet ëndrrën e tyre europiane”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login