Rama: Berisha, pa mandat të dytë për të qeverisur

by on 14/07/09 at 2:55 pm

Pas vendimit të KQZ-së për Fierin, kreu i PS-së këmbëngul: Do vijojmë betejën për Beratin, Shkodrën e Tiranën

Partia Socialiste vijon të mos e njohë mandatin e dytë qeverisës për Partinë Demokratike. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, në një dalje të menjëhershme pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Fierin, deklaroi se hetimi për procesin zgjedhor vijon, ndaj, sipas tij, 28 qershori nuk e ka mandatuar Sali Berishën për një tjetër qeveri. Pas rezultatit për Fierin, PS do t‘i shkojë më tej betejës ligjore për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën, duke kërkuar rinumërim të votave. “28 qershori nuk ka sjellë mandat të ri qeverisës për Sali Berishën, kjo tanimë është përfundimisht e qartë”, tha Rama. Sipas tij, një gjë shumë më e madhe jetike jo vetëm për Parlamentin e ri, por në radhë të parë për demokracinë tonë, është të sqarohet deri në fund e vërteta e 28 qershorit dhe të hetohet deri në fund qoftë shpërndarja e votave në Berat, Shkodër e Tiranë. “Qoftë edhe dokumentacioni zgjedhor, nga listat deri tek identitetet e zgjedhësve në të gjitha kutitë e dyshuara, gjë të cilën jemi të vendosur ta bëjmë pas daljes së rezultatit në rrugët që parasheh ligji”, tha Rama. Dalja e Ramës për mediat ishte pak orë para vendimmarrjes së KQZ për Qarkun e Beratit, ndaj i pyetur për këtë çështje, në rast se ankimi rrëzohej, kreu i PS-së, bëri të ditur se PS është e vendosur të mos njohë një rezultat zgjedhor të imponuar nga shkeljet e ligjit. “Në mënyrën më absolute, ne nuk do të pranojmë rezultat të imponuar në rrugën e shkeljes së ligjit, që tanimë është bërë rruga ku shkel orë pas ore KQZ e Sali Berishës”, tha ai. Kryesocialisti bëri të ditur se beteja ligjore, hetimi i procesit zgjedhor për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën mbi të gjitha është një kontribut i jashtëzakonshëm për demokracinë ndaj si populli i Fierit edhe ai i Beratit, Shkodrës dhe Tiranës duhet të shohin se si lexohet vota e tyre. “Hetimi i Beratit, Shkodrës, e Tiranës bazuar në të drejtën e padiskutueshme që na jep ligji, është sot detyrimi ynë elementar ndaj një populli të tërë që nuk mund të shkelet në sovranitetin e tij dhe kontributi ynë i pashmangshëm për demokracinë në këtë moment shumë delikat kur duhet të vendoset nëse vota është e drejta themelore e qytetarëve apo prona e patundshme e pushtetarëve”, shtoi kreu i PS-së. Rama paralajmëroi KQZ-në e Sali Berishës, siç e konsideroi ai, se nuk duhet të guxojë t‘i mohojë Partisë Socialiste të drejtën ligjore për të kërkuar mandatin e 5-të përmes rivlerësimit të të gjitha votave të pavlefshme, numri i të cilave në atë qark është më i madhi në të gjithë Shqipërinë për qendër votimi dhe rinumërimit të një sërë kutish të dyshuara. Sa i përket Qarkut të Fierit, një çështje e mbyllur tashmë për KQZ, por pritet të hapet në Kolegjin Zgjedhor, kreu socialist vuri në dukje se përmes numërimit të kutive më në fund gjithë Shqipëria e pa me sytë e saj se çfarë fshihej në këto kuti, pikërisht mandati i 9-të për PS-në. Leximi deri në fund i verdiktit të popullit të Fierit, vijoi ai, i dha Partisë Socialiste mandatin e 9-të dhe provoi katërcipërisht drejtësinë e qëndrimit tonë të prerë në këtë proces, duke nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën se, edhe pa bërë transparencë mbi Beratin, Shkodrën e Tiranën, Sali Berisha nuk e ka marrë mandatin për të qeverisur edhe 4 vjet të tjera Shqipërinë. Në mbylljes të fjalës së tij, kreu i PS gjeti rastin që të falënderojë të gjithë qytetarët e Fierit, të cilët jo vetëm e votuan, siç tha ai, si asnjëherë më parë Partinë Socialiste, por edhe e mbështetën pa asnjë lëkundje në përpjekjen për të mbrojtur votat e tyre.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login