Qeverisë i kërkohet të marrë më seriozisht krizën
by Andi Bega on 18/07/09 at 6:06 pm
Pas përfundimit të zgjedhjeve, kërkohet më shumë transparencë për situatën
Shumë ekspertë besojnë se vendi gjendet në situatë shumë të rrezikshme ekonomike me afrimin e vjeshtës dhe kërkojnë që qeveria të merret më seriozisht me krizën, tashmë që zgjedhjet parlamentare kanë përfunduar dhe politika nuk e ka më të domosdoshme të gënjejë. Ky është mendimi i ekspertëve dhe përfaqësuesve të biznesit.
“Shqipëria ka nevojë urgjente të analizojë të gjitha të dhënat statistikore. Qeveria duhet të bëjë transparencë mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare sot, në mënyrë që ekspertët të mund të japin propozime se si mund të dilet nga kriza”, tha për “Shqip” ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani.
“Sot për sot, statistikat e pakta që publikohen, në mos janë të manipuluara, janë së paku të zbukuruara”, tha Cani.
Edhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare, Selim Belortaja, shprehu publikisht pak javë më parë shqetësimin për sa i përket transparencës së ulët të institucioneve publike, përfshirë ministritë, në publikimin e statistikave mbi ekonominë.
“Puna e parë që duhet bërë është grumbullimi dhe publikimi i statistikave, në mënyrë që ne të kemi një panoramë të saktë të situatës”, tha Cani.
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, thotë se debati paraelektoral mbi ekonominë ka qenë përgjithësisht teorik dhe u përqendrua mbi diskutime parimore, por tani vendi ka nevojë për një diskutim praktik dhe një “dalje të butë nga kriza”.
“Statistikat” në një fabrikë
Mimoza, e cila zotëron një fabrikë veshjesh sportive në Tiranë, tregon se nuk e pati aspak të lehtë t‘i përmbante lotët kur u detyrua t‘u komunikonte 55 prej 80 punëtoreve të saj pushimin nga puna për shkak të krizës. Që nga tetori i vitit të kaluar, kërkesa për të vetmin eksport të rëndësishëm të Shqipërisë, punën e grave në qepjen e veshjeve apo këpucëve, ka rënë ndjeshëm.
Punëtoret e pakta që kanë arritur të ruajnë vendin e punës, tregojnë se si shoqet e tyre u kthyen në jetën e shtëpiakes, ndërsa pronarja e fabrikës këmbënguli dhe ia doli të siguronte pagesë papunësie për to.
Por në Shqipëri janë 100 mijë veta që punojnë në industrinë e veshjeve dhe këpucëve dhe sipas vlerësimeve të ndryshme, rreth 40 për qind punojnë ilegalisht apo gjysmë ilegalisht. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve raporton 10 mijë vende pune të humbura gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Por në statistikat zyrtare, asgjë e tillë nuk vërehet. Të dhënat e fundit mbi punësimin i përkisnin dhjetorit 2008. Ato flasin për një rritje të papritur dhe habitëse të numrit të shqiptarëve me kontratë pune gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, shifër kjo që nuk besohet nga askush, përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, e cila njoftoi pak ditë më parë se në atë tremujor ka të dhëna për rritje të ndjeshme të papunësisë.
Masa fshehtas nga qeveria
Kryeministri Sali Berisha pranoi për herë të parë nevojën për masa anti-krizë javën e kaluar, kur u kërkoi ministrave të vet të kursejnë paratë e zërit “shpenzime operative dhe mirëmbajtjeje”, për shkak se ka krizë botërore. Qeveria miratoi edhe rritje të akcizave për disa mallra, por këto masa, të cilat synojnë të merren me krizën kalimthi, duket se nuk do të japin ndonjë ndihmesë të madhe.
Sipas Canit, Shqipëria përballet me një dilemë më të madhe sesa kriza, dilemën se çfarë do të ndodhë pas krizës. Të gjitha planet e vendit janë bërë duke marrë parasysh rritjen ekonomike në vlerë reale prej 6 për qind. Por e ardhmja mund të mos jetë kaq e bukur. Edhe përfaqësuesit e FMN-së e bënë të qartë pak muaj më parë se “rritja ekonomike 6 për qind tashmë i përket të shkuarës”.
“Mungesa e rritjes ekonomike me ritme si ato të dekadës së shkuar, mund të na detyrojë të rimendojmë gjithçka, nga programet e investimeve publiken te prioritetet kombëtare apo strategjia e menaxhimit të borxhit”, thotë Cani.
Por problemi duket se vijon të qëndrojë te politika. Edhe pse zgjedhjet kanë mbaruar, mënyra se si qeveria po e trajton situatën, nuk dallon shumë nga periudha parazgjedhore.
Leave a Comment