Pushuesit kosovarë, pre e hajdutëve në plazh
by Andi Bega on 14/07/09 at 2:22 pm
Pushuesit kosovarë bien pre e hajdutëve në plazh. Dy vjedhje të ndryshme janë raportuar të dielën në plazhin e Durrësit, po vetëm njëri prej autorëve të vjedhjeve është kapur. Tjetri nuk është identifikuar dhe është zhdukur bashkë me automjetin e vjedhur. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se një pushuesi nga Mitrovica i kanë vjedhur automjetin e parkuar para vendpushimit të tij te Shkëmbi i Kavajës. Pushuesi 49-vjeçar, Bedri Latifi nga Mitrovica dhe me banim në Suedi ka denoncuar në Policinë e Durrësit “zhdukjen” pa gjurmë të automjetit të vet “Mercedes Benz” me targë RXS 445. Pas denoncimit, policia u vu në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorin e vjedhjes së ndodhur të dielën, por ende nuk është gjetur asnjë gjurmë prej tij.
Ndërkaq, një kuçovar është kapur duke vjedhur një pushues kosovar. Burimet zyrtare referojnë se një ditë më parë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Nikollaq Lici, 52 vjeç nga Kuçova, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 14.30, në sektorin Teuta të plazhit të Durrësit është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë gjatë kohës që i ka vjedhur portofolin me një sasi prej 400 eurosh shtetasit nga Kosova Mehdi S., 62 vjeç. Ndaj tij kanë nisur hetimet për vjedhje, ndërkohë që numri i vjedhjeve që raportohen në plazh ka njohur rritje ditët e fundit.
Leave a Comment