Provimi i anglishtes, gabimet që do të penalizojnë maturantët
by Andi Bega on 14/07/09 at 1:34 pm
“Përgatitja e testit lë për të dëshiruar, pasaktësi, shkallë e ulët metodologjie”
Provimi me zgjedhje për gjuhën angleze nuk është hartuar në mënyrën më të mirë. Ka pasaktësi, të cilat do të penalizojnë maturantët, për përgjigjet që kanë dhënë në test. Por jo vetëm kaq, problemet e hartimit të pyetjeve kanë pasaktësi, lënë për të dëshiruar dhe kjo është pasojë e përdorimit të një shkalle të ulët metodologjie. Të gjitha këto “cene” të cilat do të penalizojnë maturantët, janë gjetur nga vëzhgimi i tezës dhe përgjigjeve të kësaj skeme, nga kandidatja e shkencave për gjuhën angleze, Kejsi Starova. Ekspertja sqaron për më tepër, se gjuha e përdorur është ajo e shekujve të kaluar dhe jo e shekullit ku ndodhemi, XXI. Në testin e Maturës Shtetërore të anglishtes si provim me zgjedhje vërehen përgjigje të gabuara, pyetje jo të sakta dhe pyetje me më shumë se një përgjigje të saktë.
Konkretisht, të gjitha mangësitë dhe problemet e kësaj teze dhe skemës së përgjigjeve jepen si më poshtë.
Testi
Në testin e anglishtes së Maturës Shtetërore 2009 ndeshen një sërë problemesh që tregojnë një shkallë të ulët metodologjie, saktësie dhe vlefshmërie. Materiali i përzgjedhur për kontrollin e njohurive të të lexuarit, (Reading), flet për një zënkë midis dy zonjave në Amerikë për vende parkimi. Është e vështirë të kuptosh se si një tekst me përmbajtje të tillë mund të pasqyrojë saktë shkallën e njohjes së gjuhës angleze që maturantët shqiptarë pritet të përdorin gjatë studimeve të tyre akademike. Shumë prej pyetjeve kyç të hartuara mbi këtë test janë mbështetur mbi një përdorim të vjetër, jo koherent të gjuhës angleze ku personi flet për veten duke përdorur vetën e tretë, (she). Një përdorim i tillë i gjuhës angleze është pothuajse i pamundur të ndeshet në anglishten e shekullit XXI.
Pasaktësi
Pa saktësi vërehen gjithashtu edhe në mënyrën e formulimit të pyetjeve dhe në përgjigjet e dhëna nga hartuesit e tekstit në faqen zyrtare të internetit të MASH-it. Vërehen disa pyetje jo të sakta. Konkretisht, pyetja 6 (2 pikë) u kërkon studentëve të shkruajnë fjalën që përdoret për të simbolizuar automobilin.
Në të vërtetë makina personifikohet, (jo simbolizohet), në zonjë (mistress) dhe fqinj (neighbor). Një tjetër shembull është pyetja nr. 5, e cila u kërkon maturantëve të gjejnë numrin e paragrafit me të cilin fillon pjesa e dytë e historisë, pa bërë me dije se në sa pjesë është e ndarë historia. “Nëse historia është e ndarë në katër pjesë, a fillon pjesa e dytë me të njëjtin paragraf me të cilin do të fillonte pjesa e dytë e një historie të ndarë në dy pjesë? Sigurisht që jo. Për më tepër, zgjedhja e bërë nga hartuesit e testit e ndan historinë në shumë paragrafë, është një zgjedhje jo e përshtatshme, pasi kërkimet shkencore në këtë fushë, Robison 1997, tregojnë se organizimi i testit në paragrafë luan një rol të rëndësishëm në të kuptuarit e tij.
Më shumë se dy përgjigje
Përveç pasaktësive në pyetje, gjithashtu ndeshen edhe pyetje me më shumë se një përgjigje në testin e anglishtes të Maturës Shtetërore 2009. Sa më sipër, te shembulli i personifikimit të makinës në zonjë dhe fqinj. Megjithëse, të dyja këto përgjigje janë të pranueshme, autorët e testit nuk vlerësojnë si përgjigje të saktë fjalën fqinj, “neighbor”. Gjithashtu, edhe në seksionin e gramatikës, disa pyetje lënë mundësi për përgjigje të ndryshme të sakta të cilat nuk shfaqen në listën e përgjigjeve të sakta të publikuara në internet. (shembulli 1).
Është interesante të shikosh se si disa nga përgjigjet e publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit janë të gabuara. (shembulli 2).
Shembull 1
Përgjigjja e publikuar për pyetjen 17.c. është “Ajo më pyeti nëse dija rrugën?”. Lind pyetja, nëse një maturante jep një përgjigje tjetër korrekte (p.sh. Ajo më pyeti nëse mund t‘i tregoja asaj rrugën?) A do të merret kjo përgjigje në konsideratë, apo maturanti do të penalizohet për arsyen e vetme se kjo përgjigje nuk është në listën e përgjigjeve…
Shembull 2
Përgjigjja që shumë maturantë mund të kenë dhënë për pyetjen 17.B (Ndërsa po ngisja makinën kuptova se diçka nuk po shkonte mirë) do të quhet e gabuar pasi sipas hartuesve të tekstit përgjigjja e sakte është: Ndërsa po ngisja makinën kuptova se diçka nuk shkoi mirë.
Shembull 3
Maturantë që kanë dhënë si përgjigje fjalinë “Prindërit e mi nuk më lanë mua të qëndroja deri vonë kur isha i ri” do të mund të marrin një pikë pa të drejtë, ndërsa shumica e maturantëve që kanë dhënë përgjigjen e saktë “Prindërit e mi nuk më lejonin mua të qëndroja deri vonë kur isha i ri” do të penalizohen pa të drejtë, për të vetmen arsye se hartuesit e testit janë të mendimit se fjalia e dytë
“My parents didn‘t let me stay up late when I was young” – shiko përgjigjen Nr.17D në skemën e vlerësimit në faqen e MASH-it.
Richards (1992) thekson se:
Çdo test i nivelit kombëtar/ndërkombëtar duhet të ketë saktësi,
vlefshmëri dhe metodologji që të quhet i besueshëm. Metodologjia (content relevance) ka të bëjë me përzgjedhjen e materialeve për testim dhe mënyrën e hartimit të pyetjeve; një test me saktësi të lartë (reliability measurement) mat në një shkallë të lartë dhe për rrjedhojë tregon me saktësi shkallën e njohurisë së nxënësit/studentit. Së fundmi, vlefshmëria (face validity) e testit është një tregues i pranueshmërisë publike të një testi.
Leave a Comment