Premtimi i Berishës: KQZ do të punojë pa presione

by Andi Bega on 14/07/09 at 2:53 pm

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” komentoi punën e institucionit të KQZ-së, koalicionin e ri PD-LSI dhe kërkesën e Partisë Socialiste për të rinumëruar zonën e Beratit dhe Shkodrës. “Jam shprehur se rezultati përfundimtar del nga KQZ, i cili ka bërë një punë shumë serioze dhe në zbatim të plotë ndaj ligjit dhe institucionet e vlerësimit të rezultatit janë institucione që do bëjnë punën e tyre pa asnjë presion dhe natyrisht nëse ekspertët tanë nuk bihen dakord ka një Kolegj Zgjedhor”, tha Berisha. Në vazhdim të intervistës së tij për “Zërin e Amerikës”, kreu i qeverisë aktuale komentoi edhe kërkesën e PS-së për numërimin e zonave të tjera. Sipas Berishës, nëse vlerësojmë tërësinë e ankesave këto kanë qenë më minimalet në historinë e zgjedhjeve. “Ka pasur një moment problematik në këto zgjedhje dhe ky ishte numri i sallave të numërimit. Ishin 64 salla, të cilat e zgjatën dhe e bën procesin të lodhshëm. Besoj se në zgjedhjet e tjera sallat duhet të dyfishohen”, tha Berisha. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të punojë pa presion”, ishte premtimi i Kryeministrit Berisha pas kritikave të hedhura nga faktorët ndërkombëtarë se KQZ nuk po administron mirë vendimmarrjet. Sakaq, dje kreu i KQZ-së, Arben Ristani, reagoi për herë parë për akuzat politike në lidhje me procesin e shqyrtimit të ankimimeve. Pasi vlerësoi punën e KQZ-së për Qarkun e Fierit dhe mjaft situata të tjera, Ristani iu drejtua atyre që ai i konsideroi sharlatanë, të cilët janë munduar që të ushtrojnë presion mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Por KQZ është i ndikuar nga zbatimi i ligjit pavarësisht sharlatanëve”, tha Ristani. Për dy javë rresht, Partia Socialiste ka vlerësuar se shumica në KQZ është e ndikuar nga mazhoranca e djathtë, ndërsa ditën e shtunë akuzat ishin drejtpërsëdrejti për kreun e këtij institucioni, Arben Ristani. “Ky zotëri i dënuar dikur me burg për marrje ryshfeti dhe sot i kthyer në gardian të burgut ku Sali Berisha kërkon të kyçë të vërtetën e 28 qershorit, është fytyra e këtyre zgjedhjeve të damkosura me turpin e mungesës së plotë të standardeve”, u shpreh në deklaratën për shtyp Partia Socialiste.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login