Posta Shqiptare: Kemi shitur 1.3 milionë kuponë
by Andi Bega on 25/07/09 at 7:59 pm
Vijon procesi i letërnjoftimeve. Pasaportat biometrike, 55 mijë
Ka shkuar në mbi 1 milion e 300 mijë kuponë të shitur numri për
letërnjoftimin elektronik dhe mbi 55 mijë për pasaportat biometrike. Këto janë të dhënat paraprake nga Posta Shqiptare, të bëra dje publike. Shkak i numrit të lartë të aplikimeve mësohet të jetë ardhja e emigrantëve, si dhe të rinjtë që mbushin moshën 18 vjeç. Pajisja me letërnjoftime dhe pasaportat biometrike janë kushte të vendosura nga qeveria me VKM, të cilat do t‘u nevojiten individëve për përfitimin e shërbimeve të ndryshme. Dokumentet e reja të identifikimit janë edhe kritere të kërkuara nga Bashkimi Evropian, sidomos pasaportat biometrike, pa të cilat ndalohet udhëtimi jashtë vendit.
Në sportelet e Postës Shqiptare vazhdon shitja e kuponëve për sa i përket pajisjes së të gjithë shtetasve shqiptarë me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. Qytetarët shqiptarë, kryesisht ata që mbushin 18 vjeç, si dhe emigrantët, kanë nisur të kenë interes për shitjen e kuponëve. “Në fakt, procesi që prej ditës së parë më 12 janar ka pasur një ecuri të shkëlqyer.
Posta Shqiptare ka vlerësuar maksimalisht procesin e pajisjes së
qytetarëve me kuponë për letërnjoftimet elektronike si një proces
kombëtar, duke angazhuar të gjitha strukturat e shërbimit postar në realizimin sa më dinjitoz të këtij shërbimi për shtetasit shqiptarë me ose pa pasaportë”, deklaron Posta Shqiptare.
Në këtë mënyrë, në të gjithë Shqipërinë janë shitur mbi 1 milion e 300 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 55 mijë për pasaportat biometrike në të 551 zyrat postare, të cilat mbulojnë të 470 njësitë e aplikimeve. “Vlen për t‘u theksuar fakti se është shtuar shitja e kuponëve për pasaporta biometrike, në krahasim me kuponët për letërnjoftim elektronik, me një mesatare prej rreth 2 mijë kuponë në ditë”, u shpreh dje zyrtarisht Posta Shqiptare. Strukturat e Postës Shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në funksion të këtij procesi gjatë gjithë ditëve të javës. Deri tani, procesi i pajisjes së qytetarëve me kuponë, me qëllim aplikimin për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportat biometrike, po ecën mirë në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare në shkallë vendi. Punonjësit e shërbimit postar janë në gatishmëri në shërbimin dyturnësh çdo ditë të javës për të gjithë qytetarët e interesuar. Zyrat postare kanë qenë të hapura çdo ditë të javës, nga e hëna në të shtunë, ora 08:00-20:00 dhe të dielën nga ora 08:00 deri në orën 15:00.
Leave a Comment