Pishinat, si t‘i shmangim infeksionet
by Andi Bega on 14/07/09 at 1:47 pm
Drejtoria e Higjienës publikon raportin për muajin qershor. Në 13 pishina, vetëm njëra ka të punësuar një mjek
Lorina Mixha
Pishinat në kryeqytet dhe jashtë saj, në fshatrat përreth apo në zonat periferike, plotësojnë standardet për dezinfektimin e ujit. Bëhet fjalë për 13 pishina që janë kontrolluar nga inspektorët e higjienës brenda muajit qershor. Pishina të mëdha apo të vogla, pjesë e resorteve, apo thjesht vende pushimi për pushuesit, pavarësisht “statusit” ato i kanë plotësuar normat e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit ku qarkullojnë dhe pushojnë notuesit.
Sipas raportit të Drejtorisë së Higjienës së Tiranës, për këtë muaj do t‘i shtohen listës së kontrolleve edhe 10 pishina të tjera, ndërkohë që rezultojnë 3 të mbyllura, të cilat i kanë dhënë fund aktivitetit për verën e vitit 2009.
Probleme të vëna në dukje janë mungesa e mjekëve në këto pishina. Vetëm njëra prej tyre ka në strukturën e saj një punonjës të shëndetësisë. Sakaq, në pishinat në Tiranë mungon përdorimi i teknologjisë së avancuar, sikundërse është hedhja e solucioneve në ujë, për të evidentuar rastet e personave të cilët e ndotin pishinën. Njëkohësisht dushet nuk janë të vendosura në të gjitha këto resorte pushimi. Sakaq, numri i personave në një pishinë duhet të jetë i limituar. Qytetarët duhet të futen të gjithë të pastër, të larë, e të pastruar, në mënyrë që uji të mos bëhet vatër infeksionesh si për lëkurën në veçanti, ashtu edhe për organizmin në përgjithësi. Ndërkohë që mjeku duhet të qëndrojë në pishinë për të pritur rastet e para të urgjencës, pushuesit që mund të rrëshqasin, të priten, apo të pësojnë aksident gjatë qëndrimit në pishinë . Ndihma e parë është më se e nevojshme për të parandaluar dëmtimet sekondare.
Kontrolli
Në 13 pishinat e kontrolluara në muajin qershor, gjendja higjieno-sanitare rezultoi shumë e mirë, si për sa u përket parametrave të ujit për larje, po ashtu anekset e pajisura me dushe dhe nyje sanitare të rregullta.
Sipas raportit të Drejtorisë së Higjienës, punonjësit përgjegjës ishin të mirinformuar për shërbimet që kryenin, për pastërtinë e ujit të pishinave, si për sa i përket klorinimit, por edhe të mbajtjes së vlerës së duhur të aciditetit, pehashi në vlerat 6.5 deri në 8.3. Inspektorët sqarojnë në raportin e kontrollit se janë të pajisur me mjek (stabël) vetëm një bllok pishinash në Tiranë.
Inspektimet e pishinave të Tiranës qytet dhe rreth nga sektori i higjienës publike do të vijojnë edhe gjatë muajit korrik ‘09, duke përfunduar, sipas evidencave të vjetshme, edhe kontrollin e dhjetë pishinave të tjera.
Pushuesit
Në raportin mujor të kontrollit të pishinave, Drejtoria e Higjienës ka vërejtur se në pishinat e vogla zakonisht shkojnë te rreth 50 pushues në ditë. Në resortet që ofrojnë një hapësirë më të madhe shkojnë 100-150 pushues në ditë. Ndërsa pishinat që janë brenda Tiranës, ose jo shumë larg me kryeqytetin, janë më të frekuentuarat. Një nga blloqet e pishinave pret çdo ditë nga 300-350 pushues. E frekuentuar mbetet edhe pishina e notarëve.
Ndërkaq, pishinat këto vitet e fundit nuk frekuentohen vetëm nga pushues të cilët dëshirojnë të marrin rreze. Ato tashmë janë kthyer në një ritual edhe për pjesën e pasdites, për prenotime për raste të ndryshme, për të ndjekur kurse noti, por edhe për të organizuar festa darkave.
Leave a Comment