Për dy muaj, universitetet nisin procesin e akreditimit
by Andi Bega on 14/07/09 at 1:29 pm
Infrastruktura pritet të përmirësohet, është kusht për procesin e kualifikimit
Për më pak se dy muaj universitetet shqiptare publike dhe të sistemit privat do të kalojnë në filtra “provimesh”. Në këtë mënyrë do të jepen dhe rezultate për universitetet që do të shpallen të akredituara dhe për ato që nuk do të arrijnë standardet. Me fillimin e vitit të ri akademik do të nisë edhe vlerësimi i të gjitha universiteteve publike dhe private, jo vetëm nga Agjencia Shqiptare e Akreditimit, por edhe nga një tjetër strukturë gjermane. Për më shumë se një semestër, të gjitha universitetet do të vlerësohen dhe jo të gjitha do të kalojnë provimin për të marrë statusin e universiteteve, diploma e të cilave do të njihet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. “I kemi bërë një kërkesë agjencisë gjermane dhe vitin e ri akademik do të fillojë edhe procesi. Pikë më të dobët kemi infrastrukturën dhe është kampusi që do ta zgjidhë këtë problem të universitetit”, deklaron rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Pas shembullit që dha Kosova, ku shumë universitete nuk u klasifikuan, radhën e ka Shqipëria. Universiteti publik ka pikë të dobët infrastrukturën, e cila pritet të zgjidhet me ndërtimin e kampusit të ri universitar. Megjithatë, fjalën e fundit e japin ekspertët, të cilët do të saktësojnë qartë se cilat janë kriteret bazë për një universitet me standarde bashkëkohore.
Leave a Comment