PD ankimon Fierin në Kolegj

by on 14/07/09 at 2:53 pm

Vendimi, pasi KQZ rrëzoi kërkesën ankimore për tre kuti votimi

Partia Demokratike çon çështjen e Fierit në Kolegjin Zgjedhor. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, reagoi menjëherë pas rezultatit të KQZ-së që i dha Partisë Socialiste mandatin e 9-të për Qarkun e Fierit. “Mandati i Fierit, të cilin PS ia merr PDI-së me 160 vota më shumë, pavarësisht nga rezultati i shpallur, do të jetë objekt i një hetimi ligjor nga Kolegji Zgjedhor”, tha zëdhënësja e PD-së, Mëhilli. “Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe presionin e Edi Ramës, humbësit të këtyre zgjedhjeve, i vetmi politikan që këndon në humbje, i cili çdo ditë me presione dhe kërcënime përpiqet të maskojë përgjegjësinë e tij për humbjet e zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën për shtyp. Duke iu referuar qëndrimit të zëdhënëses Mëhilli, “PD i bën edhe një herë thirrje zotit Rama të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor. Të vërë në zbatim politikën e tij të re për të pranuar me dinjitet dhe mëndje të hapur humbjen”. Mëhilli bën me dije se “PD është e vendosur të pranojë çdo rezultat që del nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”. Vendimi për të ankimuar në Kolegjin Zgjedhor u parapri nga shqyrtimi dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ rrëzoi kërkesat e paraqitura nga Partia Demokratike për tre kutitë e këtij qarku dhe miratoi rezultatin duke përfshirë edhe kutitë e numëruara. Partia Demokratike ankimoi konkretisht rezultatin e tre kutive të votimit: 3006, 3185 dhe 3188. Në kutinë 3006, PD e mbështetur dhe nga përfaqësuesi juridik i Partisë Drejtësi dhe Integrim kërkoi që të shpallej e pavlefshme dhe rezultati i saj të mos përfshihej në tabelën përfundimtare të këtij qarku, për shkak se 315 fletë votimi gjatë numërimit rezultuan të mos ishin të rregullta për shkak se u mungonte shenja dalluese, logoja e KQZ dhe e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa kërkoi që për kutinë numër 3185 dhe 3188 të shpallen të pavlefshme, duke konsideruar se në to kishte shkelje të rënda. Pavarësisht pretendimeve juridike të juristëve të PD-së, Komisioni Qendror nuk i mori parasysh këto kërkesa, duke vlerësuar se çdo procedurë e ndjekur ishte e ligjshme. Përfaqësuesit juridikë të Partisë Socialiste i kërkuan palës kundërshtare që të tërhiqte kërkesën për shkak se nuk kishin asnjë provë që ta bazonin të mbështetur edhe nga përfaqësuesi juridik i LSI-së, Ilirian Muho, i cili u shpreh se KQZ e kishte dhënë tashmë vendimin e saj për këto kuti. Nga ana e tij, Genci Gjonçaj, përfaqësuesi i PS-së, vlerësoi se këto kërkesa ankimore ishin veç një tentativë për të bllokuar procesin. “Si ka mundësi që në KZAZ 20, kur patë se rezultati ishte në favor të Partisë Socialiste, ndërhytë dhe urdhëruat që kutitë të vinin në KQZ? Ndërsa tani, kur shihni se cili është raporti mes dy partive, sillni ankimim. Pse e bllokoni dhe zhbllokoni një proces sipas interesit?”, deklaroi Gjonçaj.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login