Para mbledhjes së KQZ-së, Ristani takim “kokë më kokë” me Glover

by on 14/07/09 at 2:52 pm

Dy orë para vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mandatet e Qarkut të Fierit, kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, zhvilloi një takim me shefen e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Audrey Glover. Pas takimit “kokë më kokë”, për 30 minuta, Glover dhe Ristani nuk patën asnjë komunikim për mediat, edhe pse burime të sigurta nga takimi konfirmuan se objekti i kësaj bisede ishte procesi zgjedhor i 28 qershorit. Ndërkohë Glover po zhvillon takimet e fundit para se të lërë Shqipërinë, Komisioni Qendror po përballet me një sërë ankimimesh nga subjektet politike. Në prag të fillimit të shqyrtimit të ankimimit të Qarkut të Fierit, Ristani zhvilloi një takim me ambasadorin amerikan, John Withers, ndërsa në prag të vendimmarrjes po për këtë qark me shefen e misionit të OSBE-ODIHR. Ndërkohë, dy ditë më parë u publikua raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Sipas këtij raporti, edhe pse zgjedhjet në përgjithësi u cilësuan të rregullta, ndërkombëtarët vlerësuan se nuk u arritën standardet. Në këtë raport të brendshëm të misionit vëzhgues vlerësohet me tone jo pozitive procesi i numërimit të votave. Sipas raportit të vëzhguesve në 22 vende të numërimit të votave, nga 66 që ishin, numërimi u krye keq ose shumë keq. Ndërsa KQZ-ja kritikohet se jo gjithmonë i ka trajtuar njëlloj ankesat që i kanë ardhur nga partitë politike. Sipas raportit, procesi i numërimit “u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore”. Sipas raportit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpesh nuk ka ndërhyrë në rastet kur në Grupet e Numërimit të Votave ka pasur probleme. “Një nga problemet kryesore që u vu re gjatë numërimit ishin mosmarrëveshjet nëse duheshin numëruar ose jo votat nga disa qendra votimi. Në disa VNV nuk u numëruan të gjitha kutitë e votimit, duke mos u përfshirë në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve”, thuhet në raport. Duke iu referuar sistemit të ri të numërimit të votave, raporti thekson se sistemi i ri elektronik i monitorimit nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit dhe jo gjithmonë ishte e mundur të shihej se për cilin subjekt ishte votuar, apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur. Vëzhguesit kanë vërejtur probleme procedurale, si pasojë e mungesës së trajnimit të pamjaftueshëm të komisionerëve dhe kritikojnë KQZ për nivel të ngadaltë administrimi dhe menaxhim të papajtueshëm të ankimimeve. Në reagimin e tyre të parë për zgjedhjet e 28 qershorit, vëzhguesit u shprehën se edhe pse në këto zgjedhje u vunë re përmirësime, mbetej sërish i nevojshëm progresi i mëtejshëm për arritjen e standardeve ndërkombëtare, përfshi këtu dhënien fund të votimit familjar dhe polarizimin e klimës politike. Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtarë monitoruan nga afër procesin zgjedhor, të konsideruar si një test i rëndësishëm për progresin e demokracisë në vend.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login