Paditet ambasada jonë në Greqi

by Andi Bega on 14/07/09 at 2:24 pm

Artistët padisin diplomatët për financimin e një aktiviteti kulturor

Një grup artistësh shqiptarë me banim në Greqi kanë paditur ambasadën tonë në Athinë nën akuzën e “korrupsionit”. Kallëzimi i artistëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Greqi ka mbërritur në njësinë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës dhe po verifikohet nëse ka vepër penale. Burime nga akuza thanë se kallëzimi është regjistruar në Task-Forcën e krimit ekonomik dhe po hetohet nga një prokuror e hetues, që kanë marrë kontakte me artistët shqiptarë në Greqi. Paraprakisht mësohet se ambasada jonë në Greqi, megjithëse kishte marrë donacione për të financuar aktivitetet kulturore të bashkatdhetarëve të tyre, nuk ka derdhur asnjë kacidhe për ta. Kallëzuesit pretendojnë se disa muaj më parë kanë marrë kontakt me persona të ambasadës, përkatësisht me zyrën kulturore, ku kanë marrë “bekimin” se disa ekspozita të tyre në pikturë do të financoheshin nga ambasada. Madje, për çdo ekspozitë do të përdoreshin edhe fletëpalosje me të gjithë aktivitetin e shqiptarëve. Këto fletëpalosje duhet të shpërndaheshin në zonat me popullsi të madhe shqiptare që të shikonin aktivitetin në fjalë. Artistët pretendojnë se nuk është bërë asnjë fletëpalosje dhe se asnjë zyrtar i ambasadës shqiptare në Greqi nuk është bërë i gjallë për ta financuar këtë aktivitet kulturor. Të “braktisur” nga shteti, ndonëse në emigracion, u janë drejtuar organeve të drejtësisë për të denoncuar korrupsionin. Sipas kallëzuesve, zyrtarët e ambasadës sonë në Greqi kanë marrë donacione me mijëra euro për financimin e këtyre aktiviteteve dhe se nuk kanë derdhur asnjë qindarkë për ta. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kallëzuesit pretendojnë se kanë bërë marrëveshje dypalëshe për financimin e aktiviteteve, madje kanë dokumentet ku pretendohet se ambasada jonë në Greqi ka kryer korrupsion. Tashmë është njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka nisur një verifikim të kallëzimit. Ende nuk ka nisur një procedim penal, por hetuesit deklarojnë se gjithçka po verifikohet dhe do të vendoset për fatet e mëtejshme të kallëzimit, i cili mund të shtrihet deri te drejtuesit më të lartë të ambasadës sonë në Greqi.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login