Në pritje të rrymave të nxehta të Saharasë
by Andi Bega on 14/07/09 at 1:38 pm
Parashikimi i sinoptikanëve: Temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius
Ashtu siç ishte parashikuar, kjo verë do të jetë e nxehtë, me temperatura të larta. Pas vjeshtës së vogël që kaluam në qershor, mendohet se rrymat që do të mbërrijnë, duke nisur nga kjo javë, do të jenë të nxehta dhe të thata.
Konkretisht do të jenë rrymat e nxehta sahariane, të cilat do të bëjnë që temperaturat t‘i kalojnë 38 gradë Celsius. Madje, parashikimi që japin sinoptikanët për to është që do të kapin edhe vlerat 40 gradë Celsius. Java që kemi nisur do të jetë e nxehtë dhe e thatë, ndërkohë që ditë pas dite temperaturat do të rriten nga 2-3 gradë Celsius.
Sakaq, ditët e lejeve në punë, në kohën e pushimeve të verës kanë nisur. Shumica e administratës, por edhe punonjësit në sektorin privat, kanë ikur me pushime, ose kanë bërë planifikimin e tyre. Plazhet, pishinat, apo edhe udhëtimet në vende të freskëta, në kodër, mal janë zgjidhjet alternative më të pëlqyera edhe të këtij sezoni. I nxehti dhe temperaturat e larta kanë përfshirë të gjithë vendin. Ndërkaq, një pjesë e mirë e pushuesve duhet të bëjnë kujdes, të mos qëndrojnë në mënyrë të pakontrolluar dhe për një kohë të gjatë në diell. Këshillohet të evitohen oraret më të rrezikshme, nga 12.00-15.00.
Leave a Comment