Mungojnë rojet bregdetare, ankohen pushuesit
by Andi Bega on 14/07/09 at 1:26 pm
Mungesa e rojeve bregdetare në plazhet e bregdetit të Vlorës tashmë ka filluar të jetë një problem për turistët e shumtë.
Inekzistenca e kësaj strukture vihet re vetëm pas tragjedive si ajo e ditës së diel, ku në plazhin e Pish-Poros, u mbytën babë e bijë. Duhet të ndodhë një tragjedi si ajo e dy ditëve më parë ku nga një familje humbën jetën dy persona, që të kthehet vëmendja nga “rojet bregdetare” të munguara. Në një nga plazhet më të populluara të qytetit të Vlorës në atë publik, te Plazhi i Ri dy kullat e ngritura një vit më parë vazhdojnë të mbeten bosh. Në gjithë vijën bregdetare të Vlorës, plazhet publike apo private nuk kanë roje bregdetare dhe siguria në det në këtë rast nuk ekziston. Plazhistë të shumtë të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në Vlorë këtë verë, shprehen se janë realisht të pasigurt, sidomos në ditët kur moti nuk është i mirë dhe deti ka dallgë. Ata shprehen se ekzistenca e rojës bregdetare është realisht domosdoshmëri në çdo plazh, por kjo ende nuk është realizuar as nga institucionet publike në qytet, të cilat janë përgjegjëse, duke iu referuar Bashkisë së Vlorës. Por as bizneset nuk kanë në plazhet private roje bregdetare, duke ulur kështu standardet e sigurisë në këto plazhe. Plazhistët tregojnë se ndihen të rrezikuar, sidomos për fëmijët. Shpresa e dhënë rreth një vit më parë nga Bashkia e Vlorës, se rojet bregdetare do të ishin të detyruara për të gjitha plazhet, duket se janë zbehur ndjeshëm.
Leave a Comment