KQZ shqyrton sot ankimimin për Qarkun e Tiranës
by Andi Bega on 14/07/09 at 2:54 pm
Pritet një vendimmarrje edhe për Qarkun e Shkodrës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot paradite ankimimin e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, ndërsa pritet që shqyrtimi të vijojë me kërkesat ankimore për Qarkun e Shkodrës. Partia Socialiste ankimoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e 6 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për Tiranën. Socialistët kërkojnë përmes këtij ankimimi rinumërimin e votave në KZAZ numër 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në Qarkun Tiranë. Selia rozë e kundërshton tabelën përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Tiranës, pasi në KZAZ e lartpërmendura sipas selisë rozë ka shkelje të rënda. Ata kërkojnë që votat në këto KZAZ duhet të rinumërohen dhe rivlerësohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket ankimimit në Qarkun e Shkodrës, për të cilin edhe Partia Demokratike ka çuar një tjetër kërkesë për KZAZ 41, PS ka shprehur edhe më parë pakënaqësi dhe problematikat e vërejtura.
Socialistët vërejnë se në KZAZ-në numër 40, 6 qendra votimi u vendosën në mjedise private, të cilat në të gjitha rastet kanë qenë në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, duke presion të hapur ndaj votuesve. Sipas tyre, vendndodhja e qendrës së votimit 276 është ndryshuar një ditë përpara datës 28 qershor, duke bërë që shumë votues të Partisë Socialiste të mos dinë ku duhet votuar. Ndërsa në qendrat e votimit nr. 240, 293, 299, 303, sipas PS-së, janë me dhjetëra zgjedhësit për të cilët nuk është shënuar numri i letërnjoftimit apo numri i pasaportës për jashtë shtetit, por vetëm shënimi me kartë apo me pasaportë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor. Në KZAZ-në 42, PS vëren se rezultatet e shpallura pas numërimit të disa qendrave të votimit janë larg çdo rezultati të mëparshëm dhe certifikojnë manipulimet e bëra nga qeveria e Sali Berishës. PS konteston edhe KZAZ 44 ku sipas selisë rozë në qendrën e votimit 038, për Partinë Socialiste janë 0 vota, nga 415 të vlefshme dhe në qendrën e votimit 046, Partisë Socialiste i është numëruar vetëm 1 votë. Ndërsa në Qarkun e Tiranës, PS ka shprehur shqetësim për 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike. Shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në KZAZ-në 56 të Kamzës dhe Bathores. Shqetësimet janë shprehur nga kandidati për Qarkun e Tiranës, Namik Dokle, i cili në një komunikim me mediat disa ditë më parë theksoi se në këto zona pati presione të shumta mbi komisionerët dhe votuesit, gjë që deformoi në shumë raste vullnetin real të zgjedhësve. “Në 19 prej këtyre qendrave në Kamzë, rezultati ka qenë -3926 vota, pra plus për PD-në, ndërkohë që në qendrat e votimit të vendosura në lokale publike, ka qenë një rezultat i ekuilibruar ose në favor të PS-së”, tha ai. Sakaq, lidhur me gjithë shqetësimet që ka selia rozë ka vënë në dijeni edhe komunitetin ndërkombëtar, OSBE-në vëzhguesit e ODIHR-it, ku ka kërkuar që të merren masa.
Leave a Comment