KQZ rrëzon me katër vota ankimimin për Beratin
by Andi Bega on 14/07/09 at 2:50 pm
Dy anëtarë kërkojnë materialin, por sundon shumica
Aurora Thomollari
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje dy kërkesat ankimore që kërkonin rinumërim dhe rivlerësim të votave në Qarkun e Beratit. Mes debatesh dhe momentesh të tensionuara, ndërsa një anëtar i KQZ-së braktisi edhe mbledhjen, me 4 vota “pro” të shumicës, KQZ nuk pranoi kërkesat ankimore të Partisë Socialiste për rivlerësim votash në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 2 dhe 3, si dhe rinumërim të të gjitha qendrave të votimit në KZAZ numër 1. Nga tre ankimime fillestare, u tërhoq Partia Republikane nga pretendimet e saj, ndërsa avokatët e dy partive të interesuara shfaqën pretendimet e tyre para anëtarëve. Përfaqësuesit ligjorë të partive që ankimuan, pretenduan se janë vënë re parregullsi gjatë numërimit e pavarësisht se vëzhguesit kanë shprehur vërejtjet e tyre, ato nuk janë përfshirë në librin e protokollit. Pala tjetër, pasi dëgjoi këto pretendime, doli në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për t‘i pranuar kërkesat. Nga ana tjetër, përfaqësuesit juridikë të PD-së vlerësuan se askush nuk mund të shprehë dyshim për procesin në Berat, sepse të paktën në 2 prej KZAZ shumicën e kishte PS. Partia Demokratike u mbështet në librin e protokollit, i cili rezultonte të mos kishte të shprehur asnjë shqetësim nga ana e komisionerëve të PS-së apo vëzhguesve të saj. “Nuk ka asnjë gjurmë dhe vendimet janë marrë me firmën e të gjithë anëtarëve”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi. Përfaqësuesi i PS, Gjonçaj, këmbënguli të merret në konsideratë kërkesa e nënkryetares. Ndërhyrja e nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, e cila kërkoi zyrtarisht që meqë subjektet nuk kanë prova, atëherë ajo dhe anëtari tjetër Artan Laze dëshironin që sipas nenit
136/3 t‘u viheshin në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore të këtij qarku. Subashi theksoi se sipas pamjeve filmike të KZAZ 1, 2 dhe 3, del se numri i fletëve të votimit është shumë herë më i ulët se ai që deklarohet në procesverbale. Pas kësaj deklarate ndërhyri përfaqësuesi i PD, Niazi Kosovrasti, i cili e konsideroi kërkesën e Subashit si të nxituar dhe të pavend. Ai përmendi nenin 13/4 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon betimin e anëtarëve të KQZ për ta kryer detyrën në mënyrë profesionale. Ndërhyrja e Kosovrastit krijoi situatë të tensionuar në sallë. Nënkryetarja deklaroi se askush s‘ka të drejtë ta kërcënojë duke i kërkuar kreut të KQZ-së ta ndërpresë mbledhjen. Pas disa replikash, Subashi u largua nga mbledhja, ndërsa të gjithë përfaqësuesit juridikë si dhe avokatët e PS-së dhe G99-ës kërkuan që të merrej parasysh kërkesa e nënkryetares së KQZ-së. Në përfundim, katër anëtarë të shumicën ranë dakord se nuk kishte asnjë provë konkrete që të provonte kërkesat e dy partive duke i rrëzuar ato. Mbledhja është ndjekur gjatë gjithë kohës nga dy kandidatë për deputetë; Erion Braçe që kryeson listën e PS dhe Lefter Maliqi, i treti i listës së PD-së për qarkun. Pas marrjes së vendimit nuk munguan as shkëmbimet e replikave mes Braçes dhe Maliqit, të cilat gati krijuan një situatë mjaft të tensionuar mes tyre.
Leave a Comment