KQZ ndan mandatet për Qarkun e Elbasanit
by Andi Bega on 14/07/09 at 2:50 pm
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje aktin për shpërndarjen e mandateve për Qarkun e Elbasanit, i cili sikundër ishte bërë e ditur edhe më parë, shkon 7 mandate në favor të Partisë Socialiste dhe 7 mandate në favor të Partisë Demokratike. Në këtë mënyrë vijon ndarja e mandateve për qarqet e vendit. Deri më tani KQZ ka vendosur për Qarkun e Kukësit, ku 3 mandate janë në favor të Partisë Demokratike dhe një mandat në favor të Partisë Socialiste. Sa i takon Gjirokastrës, 3 mandate shkojnë për Partinë Socialiste dhe 2 mandate për Partinë Demokratike. Pritet që pas vendimmarrjeve për qarqet, rezultatet e të cilave janë të kontestuara, të shpallen mandatet që kanë marrë secila parti. Shpallja e këtyre rezultateve bëhet në bazë të shifrave të votave që tregon tabela përfundimtare e rezultateve për secilën zonë zgjedhore dhe më pas, përmes formulës së parashikuar, bëhet ndarja e mandateve mes koalicioneve dhe subjekteve politike brenda një koalicioni. Sipas rezultatit paraprak, koalicioni që kryeson PS ka 66 mandate, koalicioni që kryeson PD ka 70 mandate dhe koalicioni i LSI-së 4 mandate.
Leave a Comment